Balla: Ne i kemi plotësuar kushtet e BE
“Vendet anëtare po bëjnë politikë për llogari të brendshme”
Për maxhorancën shpresa vdes e fundit, edhe pse shanset janë minimale që liderët e BE në mbledhjen e të enjtes të votojnë pro mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare brenda një kohë të shkurtër. Taulant Balla e lexon sërish si reflektim të politikës së brendshme të vendeve si Holanda, faktin se Shqipëria ende s’po merr një datë për miratimin e kuadrit negociues me BE.
“Në Hollandë zgjedhjet janë në 17 Mars, sensibilitetet që lidhen me zgjerimin të gjithë i dimë. Ky bllokim i shkaktuar nga vendet anëtare, jo nga vendet si Shqipëria ose Maqedonia e Veriut do të tejkalohet. Në samit mund të ndodhi gjithçka, mos u habisni nga kjo, por nëse nuk ndodh në samit, në pranverën e 2021.”
Ndryshimet kushtetuese të njëanshme, si dhe mungesën e ligjit për median nuk i sheh fare si arsye për ngurrimin e BE për ta hedhur këtë hap me vendin tonë. Madje për këtë ligj ai thotë që gjithçka varet nga ekspertët europian.
“Ne ende presim nga ekspertët europianë të na sjellin draftin si ata e mendojnë.”
Për plotësimin e vakancave në kushtetuese thotë se gjithçka tani varet nga vullneti edhe i presidentit. Ndërsa sa i takon ligjit për këtë të fundit me shumë gjase do të futet në procedurë parlamentare në sesionin e ardhshëm pasi të ketë përfunduar konsultimi me ekspertët.
Tv Klan