Varrezat masive, pakënaqësi në Kosovë për qëndrimin e Serbisë
Vjosa Osmani: Me mospranimin e fajit po mbahet peng dialogu
Gërmimet në varrezën masive që dyshohet të jetë në Kizhevak të Serbisë nuk kanë ngjallur shpresat te familjet e të pagjeturve në Kosovë.
Ata nuk besojnë fare në shtetin e Serbisë ndërsa kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë më këmbëngulës te Bashkësia Ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Serbisë për të kthyer mbetjet mortore të të pagjeturve që dyshohet të jenë vrarë e dërguar pastaj në Serbi.
Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve e gjenocidit, kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani ka thënë para deputetëve të Kuvendit se Serbia po vazhdon të bëjë krime kur po tenton të fshehë informacionet për të pagjeturit.
“Duam kthimin e tyre pranë familjes së tyre, dhuna është sistematike, nga vrasja e viktimave deri në fshehjen e tyre dhe thirrjen e sotme për mosdhënien e informacioneve për ta”.
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se mospranimi i fajit nga Serbia po e mban peng dialogun, ndërsa rrëfimi për gjenocidin është i domosdoshëm. Tash e 20 vjet pas luftës në Kosovë, ende 1,647 persona janë të pagjetur, ndërsa një ndër temat për të cilat po dialogohet në Bruksel është pikërisht kjo çështje.
Tv Klan