Sandër Lleshaj: Policia shqiptare ndër më të përmbajturat në kontinent


Sandër Lleshaj: Policia shqiptare ndër më të përmbajturat në kontinent

22:17 10/12/2020

Lleshaj: Ne nuk na duhet një polici e paaftë për të bërë asgjë…

Në një lidhje direkte me programin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ish-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për sjelljen e policisë, veçanërisht për disa raste specifike gjatë periudhës së karantinës.

Lleshaj është shprehur se policia gjatë këtyre viteve është përballur me shumë sfida dhe fryma e saj ka qenë vetëm profesionalizmi, rritja e kapaciteteve, lufta intensive kundër krimit, dhe sipas tij, kjo ka sjellë më pak krim në vend e më pak banda.

Blendi Fevziu: Unë e kuptoj që një jetë e humbur është e rëndë, por ndërkohë këtu po flitet dhe akuzat kanë qenë për një strategji dhune në rreth një vit e gjysmë dhe unë po ju sjell tre raste. Një rast është publikuar në media dhe tregon se si policët trajtojnë një person të neutralizuar, të arrestuar me pranga, një person që ka hyrë brenda fugonit të policisë vazhdon e goditet me grushta. Kemi një rast tjetër një 15-vjeçar i dhunuar nga policia tek liqeni, janë 7 oficerë policie mbi një 15-vjeçar me biçikletë apo rasti tjetër i dhunës tek teatri, këmba e policit mbi një piktor, pak rëndësi ka ose Alfred Lelën, gazetar, kolegun tim, pra bëhet fjalë për një akt të veçuar apo bëhet fjalë për një strategji ku policia kishte marr pak për kot në raport me dhunën ndaj qytetarëve.

Sandër Lleshaj: Mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se policia shqiptare është ndër policitë më të përmbajtura në kontinent, sa i përket menaxhimit të protestave dhe dhunës. Mund të gjeni sa të doni raste nga policitë e vendeve më demokratike të botës, nuk po shkoj në Amerikë, po them në Itali, Francë, Gjermani ku policia përdor në mënyrë proporcionale forcën fizike në rastet kur kjo duhet. Sigurisht që kjo nuk përjashton raste të shkëputura që punonjës të caktuar kapërcejnë limitet e përdorimit të forcës, por aq sporadike sa…

Blendi Fevziu: Zoti Lleshaj, policitë e vendeve që ju thoni janë polici të cilat në mënyrë konstante për disa dekada kanë përdorur këtë strategji, ndërsa këto tensione dhe kjo situatë ka ndodhur rëndomtë në një vit e gjysmë të fundit. Nuk po përmend gasin lotsjellës, sepse po e quaj pjesë e protestës, pandaj pyetja ime është a ka një tensionim dhe një lloj rritje të dhunës së policisë në një vit e gjysmë që u kthye, pastaj reflektohet në këto raste, dhe kur keni parë këto raste përse nuk keni reflektuar drejtpërdrejtë?

Sandër Lleshaj: Unë them që në këtë një vit e gjysmë, dy vjet, që jam në detyrë ka patur një rritje të profesionalizmit të policisë së shtetit, një rritje të kapaciteteve të saj. Sigurisht që policia ka pasur edhe sfida të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe për arsye se është përballur me një furi sulmesh të organizuara politike të dhunshme të cilave u është përgjigjur me proporcionalitet maksimal dhe nuk ka prodhuar asnjë dëm të pariparueshëm në jetën publike dhe në jetën apo shëndetin e qytetarëve. Asnjë dëm të pariparueshëm! Sigurisht ka pasur incidente, por mos të harrojmë që gjithçka duhet të vendoset në një kontekst. Është kjo polici e cila ka shërbyer, nuk është një polici e re, është kjo që ka qenë edhe më parë…

Blendi Fevziu: Po, por policia lëviz në bazë të orientimeve ose frymës që sheh. Zoti Lleshaj, edhe për zbatimin e ligjeve të Covidit, izolimit, ka pasur pafund ankesa për mënyrën se si janë sjell për maskat, për mënyrën si janë sjell për izolimin. Unë e kuptoj që është në detyrë, por bëhet fjalë për një frymë. Është e njëjta polici, por mund ta trajtosh të shfaqet edhe në formë normale edhe në formë më agresive. Edhe ju e dini që kjo ndodh me policinë gjithmonë, se kemi 30 vjet në Shqipëri e dimë që policia orientohet se si duhet të sillet.

Sandër Lleshaj: Fryma e policisë sonë në këto vite ka qenë profesionalizmi i saj, rritja e kapaciteteve, lufta intensive kundër krimit edhe kjo ka sjellë që sot Shqipëria ka më pak krim, më pak banda, më pak aksidente, më pak të vrarë e kështu me radhë. Fryma është pozitive, është fryma e profesionalizmit të saj. Ne nuk na duhet një polici e paaftë për të bërë asgjë…/tvklan.al






Të ngjashme