Dërgesat e emigrantëve arrijnë në nivelet e 2008-s
Ekspertët: Solidaritet në pandemi, por dhe hyrje e parave informale
Dërgesat e emigrantëve janë rritur ndjeshëm në pjesën e dytë të vitit, duke shënuar nivelin më të lartë të një dekade dhe duke arritur në të njëjtat flukse të vitit 2008.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në periudhën Korrik-Shtator, remitancat kapën vlerën e 197 milion eurove, duke u rritur me 40% krahasuar me një tremujor me parë dhe me 6% me të njëjtin tremujor të 2019-s.
Për ekspertët e ekonomisë, kjo dukuri shpjegohet përmes dy faktorëve: atij social, ku emigrantët kanë shprehur solidaritet në periudhën e pandemisë me familjarët, por ata nuk përjashtojnë edhe pjesën e punës jo formale, për shkak se shumë vende kanë qenë të prekura nga kriza e pandemisë.
“Është një shenjë solidariteti, që shpjegohet përmes faktorit social, por është dhe pjesa e informalitetit, po të shohim vendet e origjinës, kuptohet që një pjesë e flukseve që kanë hyrë janë nga ekonomia gri.”
Ekonomistët i shohin si një ndihmë për ekonominë dhe shtresat vunerabël rritjen e dërgesave të emigrantëve.
“Nga koncepti ekonomik remitancat shërbejnë më shumë për vendet pritëse, në këtë rast Shqipëria se sa për ato ku gjenerohen paratë, por sërish vendi nuk duhet të mbetet i varur nga dërgesat e atyre që punojnë e jetojnë jashtë.”
Gjatë periudhës së karantinës së ekonomisë, dërgesat e emigrantëve u ulën në nivele historike, për shkak edhe të mbylljes së kanaleve të dërgimit.
Tv Klan