Rekord infektimesh globale me Covid
Dy viktima në çdo minutë në SHBA
Me shumë se 2 persona në çdo minutë humbën jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 24 orët e fundit nga koronavirusi. Autoritetet raportuan për 3031 jetë të humbura, duke çuar në mbi 300 mijë numrin total të viktimave në SHBA.
Gjithashtu 24 orëshi i fundit shënoi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës një rekord edhe sa i përket numrit të infektimeve të reja, teksa u shënuan 246 mijë raste.
Me një situatë të vështirë po përballen në Europë Gjermania dhe Italia. Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane të shëndetësisë në 24 orët e fundit u shënuan afro 29 mijë infektime të reja dhe 587 viktima nga koronavirusi, duke e bërë Gjermaninë vatrën më të nxehtë të momentit në kontinentin europian.
Parlamenti miratoi ditën e djeshme buxhetin e vitit 2021, i cili parashikon afro 180 miliardë euro borxhe të reja publike, të cilat do të përdoren kryesisht për përballimin e pasojave të pandemisë.
Të larta mbeten shifrat edhe në Itali, ku afro 19 mijë raste të reja dhe 761 humbje jete.
Me një situatë të vështirë po përballet edhe Rusia, e cila shënoi mbi 28 mijë raste të reja infektimesh dhe 613 viktima.
Një tjetër shtet ku situate ditët e fundit ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm është edhe Turqia, ku numri i rasteve të reja në 24 orët e fundit i kaloi 32 mijë.
Në mbarë globin u shënuan 703 mijë raste të reja dhe mbi 12 300 viktima.
Tv Klan