Manastirliu: Vaksina antiCovid do vijë shpejt në Shqipëri
“Edhe buxheti 2021 do të rimbursojë barnat për Covid”
Vaksina antiCovid në Shqipëri do të jetë e aksesueshme në një kohë të shpejtë. Është kjo deklarata e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të Qendrës Shëndetësore të Porto Romanos në periferi të Durrësit.
“Ne presim që vaksina antiCovid të vijë në një kohë të shpejtë, të jetë e aksesueshme, duke filluar me personelin mjekësor, të cilët do të jenë të parët që do të vaksinohen, e më pas të gjithë grupet e riskuara dhe kategoritë e veçanta të përcaktuara dhe më pas do të shtrihet për të gjithë qytetarët”.
Sipas Ministres së Shëndetësisë, rimbursimin 100% i barnave për trajtimin ambulator në banesë për të prekurit me Covid-19, do të vijojë të garantohet edhe me buxhetin 2021.
“Buxheti i ri i vitit 2021 ka 23% më shumë rritje, krahasuar me 2020, pra është rritje historike për sistemin shëndetësor. Mbi të gjitha, përpos rritjes së investimeve, rritjes së financimit publik për shëndetësinë në raport me zgjerimin e paketës së barnave të rimbusueshme, barnave në spitale, të gjithë shërbimeve që kanë nevojë qytetarët, kemi edhe rritjen e pagave historike për mjekët dhe infermierët, ku rritja e pagave 40% është një tjetër investim direkt i qeverisë për asetin tonë më të çmuar që janë mjekët dhe infermierët”.
Për të patur një shërbim sa më të mirë për bluzat e bardha brenda 6 mujorit të parë të 2012 pritet të përfundojë edhe rehabilitimi i 300 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.
Tv Klan