Fundjavë protestash të dhunshme në SHBA e Francë


Fundjavë protestash të dhunshme në SHBA e Francë

12:42 13/12/2020

Manifestime pro-Trump në SHBA. Francezët kundër ligjit për sigurinë

Fundjavë protestash të dhunshme në Shtetet e Bashkuara dhe Francë. Këto pamje janë xhiruar në shtetin federal të Washingtonit, ku mbështetës manifestues të grupimeve të majta të Antifa sulmuan mbështetësit e presidentit Trump që protestonin kundër vjedhjes së votave, siç pretendojnë ata.

Përleshje pati në shumë qytete amerikane përfshirë në kryeqytetin Washington, ku policia ndërhyri dhunshëm për të ndalur përplasjet mes grupeve. Vetëm në kryeqytet pati 4 të plagosur dhe 20 të arrestuar.

Ndërhyrja ishte më e dhunshme në Paris, ku policia përdori shkopinj gome, topa me ujë e gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Rreth 150 persona u arrestuan gjatë manifestimit kundër ligjit të ri për sigurinë, që parashikon ndëshkime për personat që xhirojnë dhe publikojnë në rrjete sociale video të operacioneve të policisë ku ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve.

Ligji synon të frenojë indinjatën popullore që shkakton publikimi i pamjeve. Ky ligj është kritikuar jo vetëm nga opozita por edhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Tv Klan






Të ngjashme