Reuters: Covax rrezikon dështimin
“Vendet e varfra mund ta marrin vaksinën në 2024”
Nisma COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave anti-COVID për vendet e varfëra të botës rrezikon të dështojë. Shqetësimi ngrihet mes drejtuesve të nismës dhe del në pah në një dokument sekret të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Në dokument thuhet se nga dështimi i COVAX-it, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria, miliarda njerëz rrezikojnë të mbeten të pavaksinuar deri në 2024-ën, çka nënkupton që pandemia mund të mos ketë një fund të shpejtë. Drejtuesit e kësaj nisme parashikonin kryerjen e 2 miliardë injektimeve të para në gjithë botën vitin e ardhshëm për shtresat e rrezikuara, një objektiv që mund të mos arrihet.
Rreziku i dështimit vjen për faktin se firmat farmaceutike me të cilat COVAX ka një marrëveshje paraprake, të tilla si Astra Zeneka, Novavax apo Sanofi nuk kanë marrë aprovim për injektim. Të gjitha këto firma, vaksinat e të cilave nuk kanë arritur të krijojnë imunitetin e nevojshëm tek të gjithë personat e testuar, parashikojnë hedhjen në treg të dozave të lira nën 5 Dollarë për secilën.
Ky çmim është i përballueshëm për fondet që ka në dispozicion COVAX prej 2.1 miliardë Dollarësh deri tani, por që synon ta dyfishojë për të përballuar nevojat. Ndërsa vaksinat e firmave Pfizer dhe Moderna që kanë marrë ose janë në prag të autorizimit kushtojnë mbi 15 Dollarë për dozë.
Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian janë donatorët më të mëdhenj të kësaj nisme ku bëjnë pjesë mbi 150 vende të botës.
Tv Klan