Veliaj: Porosi të zëvendësohet çdo semafor dhe çdo pllakë
“Në këtë qytet asnjë parti nuk e vjedh gëzimin e fëmijëve”
Një tjetër familje, këtë herë në Pellumbas në periferi të Tiranës, ka marrë në dorë çelësat e shtëpisë së re të rindërtuar pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Kryebashkiaku Veliaj tha se procesi do të vijojë me të njëjtën frymë kudo në Tiranë duke u ndalur edhe te protestat e ditëve të fundit.
“Ne patëm një javë traumatike për qytetin. Kam lënë porosi të zëvendësohet çdo semafor, çdo pllakë, çdo gur, sigurisht dhe çdo zbukurim. Do t’i bëjmë zbukurimet akoma më të mira. Do të rivendosim pemën për gjithë fëmijët edhe gjithë vogëlushët e Tiranës. Do të ketë një simbolikë me 25 yje për 25 mjekët që realisht ishin heronj edhe ranë në këtë betejë me pandeminë, për të kujtuar sakrificën e tyre dhe për ta përdorur edhe kohën e festave për të shprehur mirënjohjen për ata që dhanë gjithçka që kishin, që ishte jeta e tyre në këtë betejë të jashtëzakonshm”.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kush mendon që do të mund të imponohet me dhunë, gabon.
“Ka parti politike që mund të vjedhin përkohësisht qetësinë tonë, humorin tonë, siç ndodhi me ato parti që stimulojnë dhunën dhe përdorin fëmijët për dhunë, por ju garantoj që në këtë qytet dhe në këtë shtet nuk e vjedh kush gëzimin, nuk i vjedh dot kush festat, nuk e vjedh dot kush optimizmin e fëmijëve. Do ta mbyllim këtë vit me këtë energji pozitive, për të harruar të gjithë problematikat e vitit që lamë pas. Nuk do e mbajmë kokën mbrapa, rraqet do i rregullojmë, ama qytetit gëzimin, harenë e optimizmin nuk ia vjedh askush”.
Veliaj apeloi që në këtë fund vit të gjithë të bëhen dhurues sepse kështu do të mund të ecet para.
Tv Klan