Delegacioni i KE në Gjirokastër – (23 Shkurt 2001)


Delegacioni i KE në Gjirokastër – (23 Shkurt 2001)

11:56 23/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Vizita e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në qytetin e Gjirokastrës, kryesuar nga eurodeputeti Erzis Moravinski, u përqendrua kryesisht mbi problemet dhe zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vendin tonë. Vëmendje iu kushtua nga delegacioni i Këshillit të Europës monitorimit të zgjedhjeve.

U zhvilluan një sërë takimesh me kryebashkiakun Murat Kaçi, për një interesim të veçantë për hartimin e listave. Ndërsa në takimin me anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor të qeverisjes vendore në Gjirokastër, përveç problematikës që lidhej me zgjedhjet e kaluara lokale, bashkëbisedimi u shtri edhe në procedurat e përgatitjes së listave të votuesve. Pas takimit me delegacionin KE, kryetarja e PS për Gjirokastrën Elvira Shapllo thotë:

Elvira Shapllo:- “Hodhëm dhe idenë, që zgjedhjet e tjera për deputet në parlamentin shqiptar, ndoshta do të rregullohen edhe ato pak gabime teknike, të cilat u vunë re dhe janë pranuar”.

Ndërsa kryetari i PD Gjirokstër Roland Bejko, u shpreh:

Roland Bejko:- “Ne kërkuam që menjëherë për zgjedhjet e përgjithshme të cilat mendojmë se duhet të kalojnë dhe të jenë një hap përpara për zhvillimet demokratike në Shqipëri, të bëhen ndryshimet e domosdoshme në listat për të cilat ne kemi konstatuar shkelje dhe mangësi të theksuara. Njëkohësisht kërkuam, që nëse në qytetin e Gjirokastrës në aspektin e jashtëm, zgjedhjet u zhvilluan normale, në komuna është ushtruar dhunë dhe presion nga policia”.

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Gjirokastër, pati takime edhe me krerët e OMONIA-s në këtë rreth./tvklan.al






Të ngjashme