Sali Berisha nis takimet për unifikimin e opozitës – (23 Shkurt 2001)


Sali Berisha nis takimet për unifikimin e opozitës – (23 Shkurt 2001)

15:38 23/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka nisur misionin e tij, për unifikimin e opozitës me takimin në selinë e Partisë Republikane, me Mediun, Roqin e Spahinë. Berisha e cilësoi këtë takim një ogur të mirë për t’i larguar socialistët nga pushteti. Pas takimit kryetari Berisha, duke iu referuar ftesës së socialistëve u shpreh:

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Në qoftë se bëhet fjalë për një komision në të cilën raporti është 6 me 1, në favor të qeverisë, në rast se bëhet fjalë për lista në të cilat ne e faktojmë çdo shqiptari, çdo qytetari perëndimor dhe çdo qeverie, se mungojnë të paktën në Tiranë 80 mijë zgjedhës, sipas regjistrit që disponojmë ne atëherë, gjithçka duhet të rishqyrtohet me frymën për të pasur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”.

Gazetari:- A duhet të vazhdojnë të besojnë shqiptarët në një takim të mundshëm Berisha-Nano?

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Tani unë jam shprehur, se kundërshtarëve të mi, as nuk ia u zgjedh, as nuk ua emërojë përfaqësinë atyre. Kështu që një takim u zhvillua më datën 11 Shkurt, një takim tjetër u propozua dhe u shty në mënyrë që të plotësohet dhe ne pranuam plotësisht nivelin që ata propozuan. Mendoj që ajo që është më substanciale është ndershmëria dhe sinqeriteti, për të arritur gjëra konkrete në dialog dhe jo për të përdorur dialogun”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme