Varianti i ri i koronavirusit, çfarë dihet deri më tani?
Përhapja me shpejtësi e një varianti të ri të koronavirusit është bërë shkak për masa të rrepta në Britaninë e Madhe, por jo vetëm. Shumë shtete europiane kanë vendosur të ndalojnë fluturimet drejt këtij shteti.
Por përse po shkakton ky variant i virusit shqetësim? Tre janë elementët e bërë bashkë që kanë e bëjnë të rëndësishëm.
-Po zëvendëson me shpejtësi versionet e tjera të virusit.
-Ka mutacione që prekin pjesë të rëndësishme të virusit.
-Disa prej këtyre mutacioneve në laborator kanë treguar se rrisin aftësinë e virusit për të infektuar qelizat.
Të gjitha këto bashkë bëjnë që virusi të përhapet më me shpejtësi.
Megjithatë, sipas asaj që shkruan BBC, ekspertët nuk kanë vërtetësi absolute për këtë. Kjo formë e re mund të bëhet e zakonshme thjesht duke qenë në vendin e duhur në momentin e duhur.
Ajo u detektua për herë të parë në Shtator. Në Nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër ishin varianti i ri. Në Dhjetor arriti gati dy të tretat e rasteve. Në disa qendra në Britani ky variant dominon rezultatet e testeve.
Teksa njoftoi masat e ashpra në të gjithë vendin, Kryeministri britanik Boris Johnson tha se varianti i ri mund të jetë mbi 70 përqind më i transmetueshëm. Megjithatë ekspertët thonë se momentalisht është ende shumë herët për ta saktësuar këtë. Sipas tyre, ky variant po rritet me shpejtësi, më shpejt se varianti i mëparshëm./tvklan.al