Hapet çerdhja e parë në burgun e grave, ka vetëm një fëmijë (2 Mars 2001)
Burgu 325 në ambjentet e tij në regjimin e grave ka përfunduar çerdhen për foshnjën e porsalindur të vogëlushes Xhesika. Kjo çerdhe është e para e këtij lloji që do të shërbejë dhe në të ardhmen për foshnje të tjera që mund të lindin në burgjet tona. Tani për tani në këtë çerdhe do të jetë vetëm Xhesika e cila do të jetë e rrethuar mes gardianëve dhe të burgosurave të tjera. Ja çfarë thotë për këtë drejtori i përgjithshëm i burgjeve Agim Çeraku.
“Është një nga rastet e rralla në burgjet tona të lindi në periudhën që ka qenë e paraburgosur. Ne jemi munduar që brenda kuadrit ligjor duke respektuar të drejtat dhe liritë e individit të krijojmë kushte sa më të mira së të ndaluarës që dhe ajo të bëjë një jetë normale derisa gjykata të japë vendimin e formës së prerë. Për këtë arsye i kemi krijuar disa kushte të mira, të veçanta që ajo të ketë mundësi të banojë vetë bashkë me fëmijën.”
Prindërit e Xhesikës janë të akuzuar të dy për vrasje dhe rrezikojnë të dënohen deri në 15 vjet. Për pajisjen e kësaj çerdhje ka ndihmuar shoqata “Mision Albania” me përfaqëses Shirli Ward./tvklan.al