Gjyqi i bandës së Lushnjes – (5 Mars 2001)


Gjyqi i bandës së Lushnjes – (5 Mars 2001)

15:18 05/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Spartak Poçi, Sokol Koçiu dhe Niko Brahimaj, kërkohen si dëshmitarë në seancat gjyqësore të bandës së Lushnjes. Sot në seancën e dytë të gjyqit, në Gjykatën e Elbasanit, avokatët e 9 të pandehurve, të njohur si anëtarë të bandës së Lushnjes, kanë kërkuar pavlefshmërinë e akteve juridike të paraqitur nga Prokuroria.

Avokatët e quajtën këtë gjyq të montuar politikisht, ndaj në fund avokatët mbrojtës kanë kërkuar ardhjen në rolin e dëshmitarit të ish-ministrit të Rendit Spartak Poçi, ish-kreut të specialeve në Ministrinë e Rendit Niko Brahimaj dhe Sokol Koçiut. Kërkesa, që nuk janë pranuar nga gjyqtarët elbasanas. Në bankën e të akuzuarve, janë 7 nga anëtarët e të ashtuquajtur nga policia banda e Lushnjes, ndërkohë që kreu i saj Aldo Bare apo Alfred Shkurti dhe dy të tjerë gjykohen në mungesë.

Kjo bandë akuzohet për shumë vepra të kryera në vitin 1997, por edhe më vonë, siç është vrasja e një agjenti kriminal në Lushnje dhe vënia e eksplozivit të pashpërthyer poshtë shkallëve të stadiumit të Lushnjes. Seanca e sotme përfundoi vetëm me prezantimin e palëve, duke caktuar 19 Marsin, datën e seancës së ardhshme, ku do dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme