Paradokset e ekipeve të Superligës


Paradokset e ekipeve të Superligës

10:30 25/12/2020

Mungesë ekuilibri dhe golash

Ndeshjet e javës së dhjetë në Kategorinë Superiore nuk dhuruan surpriza në kreun e renditjes. Barazimi me Kukësin i prishi pune Tiranës që u parakalua nga Laçi dhe Teuta.

Por pikërisht klasifikimi i Superligës ka disa paradokse. Partizani ka pësuar vetëm 3 gola, ka shënuar po aq sa Kukësi dhe ndodhet në vendin e tretë në renditje me 16 pikë. Deri më tani të kuqtë janë skuadra me mbrojtjen më të mirë. Nëse ekipi i Ilir Dajës do të kishte qenë më efektiv në sulm, do të kishte zaptuar kreun.

Teuta ka shënuar 8 gola, aq sa Skënderbeu i vendit të parafundit dhe renditet e katërta me pikë të barabarta me Partizanin. Ashtu sikurse të kuqtë, durrsakët kanë mbrojtje solide, por që ka pësuar një gol më shumë. Teuta është e vetmja skuadër që nuk është mposhtur në këtë sezon, por ndodhet në vendin e katërt.

Në vend të tretë për këtë statistikë ndodhet Tirana, që ka pësuar 6 gola. Vllaznia, që kryeson e vetme 5 pikë para nga vendi i dytë dhe që është mposhtur dy herë, ka sulmin më të mirë. Ka shënuar 15 gola, me një mesatare prej 1.5 gola për ndeshje, por shumë larg skuadrave kryesuese në rajon dhe në Europë.

Paradoksi tjetër është mungesa e ekuilibrit mes repartit ofensiv dhe atij të mbrojtjes në skuadrën e Laçit që ndodhet në vendin e pestë. Kurbinasit kanë sulmin e dytë më të mirë me 13 gola, por në prapavijë ka pësuar po aq sa Vllaznia, 7 të tillë.

Tregues që disa skuadra, si Partizani dhe Laçi, edhe kur mposhten, kjo ndodh me rezultat të ngushtë. Në përgjithësi Superliga shqiptare prodhon pak gola, me një mesatare më të ulët se 2 për ndeshje. Golavarazhi në 10 javët e para të sezonit të sivjetshëm është një rekord negativ pasi është më i dobëti në dekadën e fundit.

Tv Klan






Të ngjashme