Parlamenti shqiptar deklaratë për incidentet në Maqedoni – (9 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Parlamenti shqiptar, me anë të një deklarate u ka tërhequr vëmendjen autoriteteve maqedonase të vetëpërmbahen ndaj personave që kryejnë akte terroriste. Deputetët kërkojnë zhbllokimin e kufirit Maqedoni-Kosovë. Gjithashtu duke parë rrezikun serioz të zhvillimeve të tilla Kuvendi shqiptar, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni, të tregojnë maksimumin e vëmendjes dhe të mënjanojnë çdo shfaqe të dhunës dhe ekstremizmit.
Sabri Godo:- “Kuvendi vëren me shqetësim, prirjen e kryetarëve të disa shteteve, për të zmadhuar jashtë mase incidentet e fundit në Maqedoni, duke i ofruar asaj deri edhe ndihma ushtarake. Sovraniteti i Maqedonisë nuk është nën kërcënim dhe akuza që u bëhet në këtë drejtim shqiptarëve është krejt e pabazuar. Kuvendi pohon, se UMNIK dhe KFOR, kanë qenë dhe janë faktor i pazëvendësueshëm i ruajtjes së paqes në rajon. Nën kujdesin e këtyre strukturave, Kosova po shkon paqësisht drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe referendumin që do të përcaktojë të ardhmen e saj. Ngjarjet në Kosovë e Maqedoni, shpjegohen me angazhimin e forcave të caktuara në Serbi, për të penguar proceset demokratike në Kosovë dhe për të hedhur sërish rajonin në luftë”./tvklan.al