PD: Me taksat e rritura, Veliaj do të paguajë rreth 10 mijë militantë
Partia Demokratike ka hedhur akuza kundër kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, lidhur me buxhetin të vitit 2021. Në një deklaratë në emër të PD, Akil Kraja, tha se buxheti i 2021 parashikohet të kapë shifrën rekord prej 166 milion euro.
“Pavarësisht se jemi në kulmin e krizës ekonomike, Bashkia Tiranë dyfishon numrin e punonjësve krahasuar me pesë vite më parë. Taksat shkojnë për punësime partiake elektorale, jo për të ndihmuar bizneset apo rritur investimet për lulishtet e gjelbërimin e qytetit. E keqja në Tiranë thellohet gjithmonë e më shumë”, u shpreh Kraja.
Sipas zyrtarit të PD me shtesën e parashikuar për vitin 2021, “rezulton që numri i punonjësve të Bashkisë Tiranë ka arritur në 7500 persona, të cilët i kushtojnë taksapaguesëve të qytetit plot 51 milion euro në paga e sigurime shoqërore”.
“Nëse e konvertojmë këtë shifër në kosto për ditë pune, punonjësit e Erion Veliajt i kushtojnë qytetarëve të Tiranës plot 200.000 euro dita e punës. E ripërsërisim 200 mijë euro dita e punës në paga e sigurime shoqërore”, shtoi ai./tvklan.al