PD akuza qeverisë për vrasjen e Gjon Gjonajt në Rrëshen – (11 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Shtetasi Gjon Mirash Gjonaj, 47 vjeç nga Laçi është gjetur i vdekur mbrëmë në mesnatë, në qelitë e komisariatit të Rrëshenit. Sipas Ministrisë së Rendit, dje paradite policia e Laçit, gjatë kontrollit të objekteve të shtetasit Astrit Bushi, të cilat administroheshin nga Gjon Gjonaj e Zef Malçi, kanë gjetur armë dhe dokumente të falsifikuara që i përkisnin shtetasit Bushi.
Sipas policisë, Gjonaj është gjetur i vetëvrarë në qeli me një thikë të vogël. Ky version është hedhur poshtë nga Partia Demokratike. Deputeti i Laçit Pal Dajçi, ka deklaruar se anëtari i PD, Gjon Gjonaj është masakruar me thikë në qeli.
Pal Dajçi:- “Ne kemi mësuar, nëpërmjet mjeteve të informimit nga Ministria e Brendshme, që ai ka vrarë veten në burg. Tani, kjo është një deklaratë qesharake, pasi një person, që ka dy ditë i ndaluar nuk i lejohet asnjë mjet i fortë. Sot pas dëshmisë edhe të vëllait, ai është ekzekutuar me thikë në zemër mbrëmë natën në komisariatin e Rrëshenit”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame