Ligji i duhanit detyron tregtarët të paguajnë 2% të xhiros – (14 mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Miratimi i ligjit të duhanit tre muaj më parë, ka sjellë reagimin e tregtarëve importues dhe prodhues të cigareve. Kontradikta qëndron në faktin se në kapitullin 5 të këtij ligji, parashikohet të ngrihet fondi duhan. Për të funksionuar ky fond tregtarëve iu duhet që të paguajnë 2% nga të ardhurat e realizuara nga shitja e produkteve të duhanit. Zoti Bregasi, president i Dhomës së Tregtisë se Shqipërisë thotë:
Luan Bregasi:- “Së pari nuk jemi kundër ligjit për krijimin e fondit të duhanit, por ne kemi kundërshtuar sasinë që është vendosur në ligj, 2% të xhiros, e cila për të gjithë tregtarët që importojnë dhe ata që prodhojnë duhanet është një taksë e re, gati në vlerën e tatimit mbi fitimin”.
Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, zoti Galanxhi thotë”
“Nga ky 2% është shumë pak për këta tregtarë, duke menduar që ata paguajnë tvsh, ata paguajnë akcizë, ata paguajnë taksë doganore dhe pse jo 2%. Kjo është fare minimale”.
Në këtë kuadër për të nxjerrë nga vështirësitë ekonomike fabrikën e duhan-cigareve në Durrës, zv/ministrja e Bujqësisë Vjollca Ibro, ka emëruar një drejtues të ri. Sipas saj kjo është një ndihmë që shteti i jep kësaj ndërmarrje. Ndërkohë tregtarët importues dhe prodhues, vazhdojnë të kërkojnë përpilimin e një amendamenti të ri të ligjit për duhanin./tvklan.al