Interesi për bonot 1-vjeçare nuk ndryshon


Interesi për bonot 1-vjeçare nuk ndryshon

16:00 31/12/2020

Ekspertët: Investoni në obligacione

Interesi i bonove të thesarit në fund të vitit nuk ka ndryshuar, ndryshe nga tendenca që ka shfaqur kjo normë në këtë periudhë të viteve të tjera. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka Qendrore, interesi i pranuar për borxhin e qeverisë arriti në 1.89%, duke vijuar të njëjtën trajektore mes 1.8 dhe 1.9% që prej muajt Mars.

Brunilda Isaj, eksperte në fushën financiare, shprehet se ky interes nuk është shumë i favorshëm për ata që kërkojnë të investojnë paratë e tyre, ndërsa i shërben për mirë konsumatorëve që kanë si referencë pagesën e kredisë me normën e bonove të thesarit.

“Interesi është stabël dhe nuk ofron investime me fitime të larta, por është një dukuri që u shërben atyre që kanë kredi me referencë bonot e thesarit, pasi do të paguajnë njësoj.”

Por ndryshe nga bonot që janë instrumente afatshkurtër, obligacionet e qeverisë 5, 7 dhe 10 vjeçare, ofrojnë norma të kënaqshme interesi mes 3.4 dhe 5%.

“Obligacionet janë instrumente më të favorshëm sepse kanë interesa të larta, vetëm që duhet të zgjidhet të investosh ose jo aq gjatë. Edhe pse janë afatgjatë, interesi i kuponit shkarkohet njëherë në 6 muaj ose në 1 vit.”

Depozitat bankare janë rritur në fund të Nëntorit me 460 milionë euro krahasuar me një vit më parë, ndërsa interesi për investimin e parave në instrumentet e borxhit ka qenë më i lartë nga bankat, se nga individët.

Tv Klan






Të ngjashme