Europa feston me fishekzjarre dhe pa spektatorë


Europa feston me fishekzjarre dhe pa spektatorë

14:03 01/01/2021

Masat kufizuese nuk ndalin amerikanët të dalin në rrugë

Spektakli i dritave në kullën Eiffel në Paris shënoi hyrjen e vitit të ri 2021, por ndryshe nga viti i kaluar dhe të tjerët që i kanë paraprirë munguan mijëra spektatorët e pranishëm përreth kullës. Qindra policë ishin mbledhur në bulevardin e famshëm Champs Elysee për të penguar grumbullimet si pjesë e shtetrrethimit anti-COVID që nisi që në orën 20:00 të darkës së 31 Dhjetorit 2020.

Qytetarët u dyndën drejt shtëpive para nisjes së këtij orari, ndërsa rrugëve qarkullonin pak automjete me leje të posaçme. Spektakli i zakonshëm i fishekzjarreve në Berlin mungoi natën e ndërrimit të viteve, por shumë qytetarë të kryeqytetit gjerman sfiduan rregullin e qeverisë për të mos hedhur fishekzjarre kur orat elektronike shfaqën katër zerot, çka u bë shkak për dhjetëra raste zjarresh.

Fishekzjarre pa grumbullime festive pati në shumë qytete të mëdha të botës. Ndërsa në Moskë e Nju Jork, pavarësisht bllokimeve të shesheve kryesore ku u shfaq spektakli i fishekzjarreve, qytetarët u mblodhën përtej barrierave bllokuese që kishte ngritur policia.

Ndërsa në Wuhan, vatrën globale të koronavirusit dhe në gjithë Kinën, festimet u kryen si çdo vit me grumbullime masive, falë nivelit tepër të ulët të infektimeve me Covid-19.

Tv Klan






Të ngjashme