2021 troket në Shqipëri
Sheshe e rrugë bosh në mesnatë
Jo vetëm Tirana por në mbarë vendin, askush nuk mundi të shijojë në sheshe spektaklin e fishekzjarreve.
Ritualin e përvitshëm, atë të argëtimit jashtë tryezës së vitit të ri, një gotë shampanjë me të dashurit tanë, si dhe puthjen me njerëzit e zemrës kur akrepat shënuan 12:00 këtë vit askush nuk mundi ta japë në sheshet plot.
Pandemia prishi traditën, por në Korçën e serenatave pati edhe nga ata rebelë që e pritën jashtë mbërritjen e vitit të ri.
E njëjta panoramë ishte edhe në Elbasan. Ndonëse bashkia ishte kujdesur për hedhjen e fishekzjarreve, rrugët qenë të boshatisur që në orën 20:30.
Edhe vlonjatët këtë vit të ri e pritën në shtëpitë e tyre. Spektaklin e fishekzjarreve, për të cilin ishte kujdesur pushteti lokal, të gjithë e shijuan nga ballkonet.
Të vetmit rebelë që guxuan të thyejnë orarin e kufizimit të lëvizjeve u këshilluan nga punonjësit e policisë që të kthehen në banesa.
Sheshe e rrugë bosh ishte edhe panorama që ofroi ndërrimi i viteve në Lushnje. Ndryshe nga qytetet e tjera munguan fishekzjarret e hedhura nga Bashkia.
Të vetmit që ishin kujdesur për t’i dhënë ngjyra ardhjes së 2021-it ishin vetë banorët.
I pazakontë erdhi Viti i Ri edhe për shkodranët. Të vetmi kalimtarë në sheshe e rrugë qenë punonjësit e rendit.
Tv Klan