Tre qeveri brenda 1 viti
Kosova në sfidën e zgjedhjeve të reja
Viti 2020 është karakterizuar me ndërrimin e tri qeverive, që ka ndodhur për herë të parë në Kosovë.
Ka nisur me Ramush Haradinajn si kryeministër në detyrë pasi ishin bërë tre muaj që kishin përfunduar zgjedhjet ndërsa partitë politike nuk po merreshin vesh për të bashkëqeverisur. Negociatat ndërmjet partisë fituese LVV-së dhe LDK për bashkëqeverisje zgjatën rreth 4 muaj.
Më 3 Shkurt të vitit që lamë pas u votua qeveria me Kryeministër Albin Kurtin.
Sfida e parë e këtij koalicioni që quhej koalicion i shpresës ishte menaxhimi i pandemisë me Covid-19 pasi menjëherë pas një muaji, më 13 Mars u regjistrua rasti i parë më Covid-19.
Kosova u mbyll por kërkohej gjendje e jashtëzakonshme gjë që e refuzonte Kryeministri në atë kohë Albin Kurti.
Një deklaratë e ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së Agim Veliu se ai mendon se do të duhej të shpallej gjendje e jashtëzakonshme bëri që Kurti të shkarkojë Veliun nga posti i ministrit, ndërsa LDK kërkoi mocion të mosbesimit, sepse sipas tyre LVV shkeli marrëveshjen e koalicionit dhe pa konsultim paraprak me partinë shkarkoi Veliun.
Kuvendi votoi rrëzimin e qeverisë Kurti më 26 Mars, duke u bërë kështu qeveria më jetëshkurtër në historinë e pasluftës në Kosovë.
Kurti refuzonte t’i dërgonte një emër të dytë për Kryeministër Presidentit Hahsim Thaçi ndërsa ai pas tri kërkesave për takim që i bëri Kurtit ia dërgoi Kuvendit emrin e Avdullah Hotit të LDK-së si mandatar për të formuar qeverinë.
Qeveria Hoti e cila kishte bërë koalicion me AAK-në, Nismën dhe komunitetet u votua më 3 Qershor, ndërsa pro votuan 61 deputetë.
Më 5 Nëntor Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit pasi i ishte konfirmuar akt-akuza nga Gjykata Speciale në Hagë, për të vazhduar në këtë post si Presidente në detyrë kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Partitë politike nuk po merreshin vesh për postin e Presidentit, ndërsa në Dhjetor Gjykata Kushtetuese mori vendim që vendi të shkojë në zgjedhje pasi e vlerësoi jolegjitime votën e deputetit Ethem Arifi i cili kishte votuar pro qeverisë Hoti ndërsa kishte një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Viti 2021 e ka gjetur Hotin si Kryeministër në detyrë dhe si kandidat nga LDK për Kryeministër në zgjedhjet e reja e që për kundërkandidat ka Albin Kurtin e LVV së dhe Enver Hoxhajn e PDK-së.
Tv Klan