Meta dhe Basha: Shqiptarët po largohen nga vendi


Meta dhe Basha: Shqiptarët po largohen nga vendi

15:47 05/01/2021

Rama: Propagandë dhe një shëmti e madhe

Emigracioni është gjetur si një arsye për një përplasje virtuale mes kreut të shtetit, Kryeministrit dhe kreut të opozitës.

Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë në një mendje se keqqeverisja është arsye pse shqiptarët lënë vendin për të jetuar dhe punuar jashtë dhe të dy sytë i kane nga zgjedhjet e 25 Prillit për ta ndryshuar situatën.

Presidenti i referohet një raporti të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që rendit Shqipërinë të katërtën në botë për rritjen e normës së emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000-2001 deri në 2015-2016.

“Një tjetër rekord i zi! Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet”.

Ndërsa Basha i referohet premtimeve elektorale që sollën Ramën në pushtet.

“Edhe sot Rama u përpoq të fajësojë të tjerët për dështimet e tij. Largimi masiv i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të Ramës. Shqipëria po humb një brez të tërë prej largimeve masive të 8 viteve të fundit. Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë”.

Kryeministri iu është përgjigjur duke  ju kujtuar vitet të cilave i referohet raporti kur dhe Ilir Meta dhe Lulzim Basha kanë qenë pjesë e përgjegjësisë qeverisëse.

“Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë! A thua se Iliri, Saliu apo Luli e Monika nuk ishin në pushtet me vite të tëra dhe po këta do t’i kthejnë shqiptarët nga rruga, me kallamin e tyre magjik! Por një raport me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët në 25 Prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! Çfarë degradimi”.

Por kreu i demokratëve e ka vijuar debatin duke e cilësuar përgjigjen e Kryeministrit si po përdor strategjinë e përsëritur për të fajësuar të tjerët për dështimet. Për të largimi i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të shqiptarëve.

Tv Klan






Të ngjashme