Moderna siguron lejen urgjente nga BE
Injektimi i vaksinës nis brenda 1 javë në vendet anëtare
Bashkimi Europian ka tashmë një vaksinë të dytë të lejuar për injektim. Është ajo e firmës amerikane Moderna që në çdo 100 persona ku është testuar u ka krijuar imunitet 94-ve prej tyre.
Agjencia Europiane e Barnave EMA i dha produktit të firmës Moderna, autorizimin për përdorim urgjent në të 27 shtetet anëtare të unionit dhe injektimi pritet të nisë brenda 1 jave. Drejtuesit e Agjencisë e konsideruan vaksinën, efikase dhe si mjetin e duhur për të kapërcyer emergjencën aktuale.
Për presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e konsideroi autorizimin për Modernën si një lajm të mirë për përpjekjet e institucionit që ajo drejton për imunizimin e shpejtë të popullatës. Ritmet e vaksinimit mes vendeve anëtare nuk janë të kënaqshme pasi deri tani leja për vaksinimin i ishte dhënë firmave Pfizer/BioNTech që e ka thuajse të pamundur të përballojë e vetme kërkesën tepër të lartë për vaksinat e saj nga disa shtete të mëdha të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.
Ashtu si Pfizer, edhe Moderna përdor metodologjinë e ARN-së së modifikuar të Covid-19 që i dërgon sinjal sistemit imunitar për të qenë e përgatitur të penguar infektimin. Një dozë e kësaj vaksine kushton deri 37 dollarë, ndër çmimet më të larta për vaksinat e anti-Covid të zhvilluara deri më tani.
Tv Klan