Rekorde të reja globale të pandemisë
10 persona humbën jetën në çdo minutë në botë
Koronavirusi shënoi një rekord të ri këtë 24-orësh me mbi 820 mijë infektime në shkallë globale për të dytën ditë radhazi. 24-orëshi i fundit shënoi po ashtu edhe shifrën e dytë më të lartë të viktimave me mbi 14 700 raste.
Ndikim tek këto shifra ka pasur veçanërisht rekordi i ri i infektimeve ditore dhe viktimave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë shënuar 1/3 e totalit e infektimeve ditore globale dhe mbi 4100 viktima.
Ndërsa në Britaninë e Madhe, shifrat e infektimeve pësuan rënie krahasuar me rekordet e njëpasnjëshme të ditëve të fundit. Këtë 24-orësh u shënuan rreth 10 mijë infektime më pak se rekordi i një dite më parë. Megjithatë u shënua shifra e dytë më e lartë e viktimave ditore të të gjithë periudhës së pandemisë.
Rekord pandemie për numrin e viktimave në Gjermani me 1 188 raste të reja. Të larta edhe infektimet ditore, ku këtë të premte u shënua shifra e dytë më e lartë e pandemisë me mbi 31 800 raste. Në këtë vend, karantina kombëtare duket se nuk po i stabilizon dot ritmet e përhapjes së COVID-19.
Tv Klan