Ishte shtruar në spital, inspektoren e heqin nga puna
Emisioni “Stop” udhëtoi drejt njësisë administrative Ungrej në bashkinë e Lezhës për problemin e zonjës Dila Kola, e cila është larguar nga puna nga administratori dhe më pas me firmën e kryetarit, kur ka qenë në spital e shtruar.
Dila tregoi, se që prej viteve ’80 ka qenë e punësuar pranë Agjencisë së Pyjeve në Bashkinë Lezhë. Zonja tha se kohët e fundit e kishin kaluar Agjencinë e Pyjeve në varësi të Njësisë Administrative, për të firmosur listëprezencën.
“Qysh në 80-ën kam qenë në marrëdhënie punë, domethënë një karrierë totale në agjencinë e pyjeve pranë Bashkisë Lezhë. Më datën 1 më ka dhënë vërejtjen e parë, më datën 6 u shtrova në spital, me datën 8 më bëri vërejtjen e dytë. Në datën 16 në një kohë që isha prapë me raport deri me 25 më bëri largimin. Tani që 6 muaj na kanë kaluar në varësi të njësisë administrative për të firmosur listë prezencën në orën 8:00 dhe në orën 16:00 të pasdites”.
Dila Kola tregoi, se arsyeja e vërejtjeve dhe largimit nga puna ka qenë për thyerje disipline dhe se nuk ka zbatuar urdhrat, në kohën, që ka qenë në spital.
“Moszbatim urdhri, domethënë thyerje disipline në një kohë që unë isha në spital, si e theva disiplinën?
Ajo ka dorëzuar një raport shëndetësor me afat 14 ditor me vulën e mjekut të familjes, Gjovalin Leka. “Stop” pyti mjekun për sëmundjen e zonjës. Ai tha se ajo ka shkuar në urgjencë për bronkopneumoni dhe ka patur nevojë për mjekim 8-9 ditë, por ia ka dhënë 14 ditë për shkak të pandemisë.
Doktori: Ajo është me bronkopneumoni, veshkat e anës së djathtë. Në datën 6 ka shkuar tek urgjenca, në datën 6 Shtator.
Gazetarja: Po!
Doktori: A kupton? Ka shkuar tek urgjenca. Është trajtuar në urgjencë kjo. Ka bo ekzaminime në urgjencë dhe raportet normalisht i lëshon mjeku i familjes, nuk i lëshojnë këto të urgjencës. Vetëm japin një farë rekomandimi ata. Nevojë për raport ka pas për një, për mjekimin nja 7-8 ditë, sa të zgjasë mjekimi. Mirëpo unë ia dhashë 14 ditë, se është kohë pandemie dhe normalisht ia kam dhënë për 14 ditë edhe…Po për 8 ditë, 9 ditë, se ka vazhduar mjekimin për 9 ditë ajo.
Gazetarja: E kuptoj! Ok! Dakord!
Doktori: Dhe raportin ia kam dhënë për 14 ditë. Ajo është e regjistruar, me kartelë, me regjistër, me të tana.
Në njësinë administrative Ungrej, Stop pyeti administratorin, se cilët urdhra nuk ka zbatuar zonja gjatë kohës si inspektore pyjesh dhe cili është roli i administratorit në mbarëvajtjen e pyjeve të Lezhës.
Ky i fundit vuri në dispozicion një procesverbal të mbajtur në datën 24 Gusht gjë që bie në kundërshtim me faktin, se zonja e ka marrë vërejtjen një javë më parë.
Administratori: Më datë 8.6.2020 kam kërkuar paraqitjen në punë të zonjës Dila Kola. Tani mbas 2 muajsh, datë 18.8.2020 unë, duke marrë shkas nga mosprezenca dhe nga mosbindja e Dilës në pozicionin e punës, në zonën pyjore ku ajo mbulon, unë kam nis një shkresë drejtu Kryetarit të Bashkisë. “Vënie masë disiplinore ndaj punonjëses Dila Kola me detyrën Inspektore Pyjesh në njësinë administrative Ungrej”.
Gazetarja: Por ju thoni “Për moszbatim të urdhrit të punës”, për të ushtruar kontrollin në zonën pyjore të cilën mbulon, duke pretenduar…
Administratori: Po, kam të drejtën time unë!
Gazetarja: Si e keni provuar faktin, që zonja nuk është duke ushtruar kontrollin në terren?
Administratori: Po, sepse kam edhe proces-verbalin e grupit të punës.
Administratori: “Proces-verbal i mbajtur sot, më datë 24.8.2020 në fshatin Kashnjetë për fikjen e zjarrit të shfaqur, rreth orën 13:30, poshtë shkollës Kashnjetë”. Ky është një procesverbal, që kanë mbajt ata, që kanë qenë prezentë atje.
Gazetarja: Ky është i datës 24 Gusht, ndërkohë shkresa juaj është 18.08. Është një javë përpara. Më thuaj, si e provoni faktin, se zonja nuk ka dalë dhe nuk ka qenë në punë? Ju keni një procesverbal të datës 24 dhe jam shumë dakord, që zonja mund të mos ketë qenë. (drejtuar denoncueses) Kashnjeti përfshihet në zonën, që duhet të mbuloni ju?
Denoncuesja: Jo!
Administratori: Po!
Denoncuesja: Nuk është në zonën time.
Gazetarja: Dakord! Kashnjeti nuk është në zonën e zonjës. Më thoni! Ju, një javë përpara, keni bërë fakt të kryer, që zonja nuk respekton dhe nuk zbaton urdhrat e eprorit. Si e kontrolloni ju nëpër male, zotëri?
Administratori: Tani, unë…
Gazetarja: Dhe keni guximin më tregoni proces-verbalin e mbajtur një javë pas kësaj shkrese.
Administratori: Unë i kam kërkuar, që të dali të fikë zjarrin.
Gazetarja: Kush do ta fikte zjarrin? E fik zjarrfikësja, mo zotëri.
Administratori: Unë mund të marr një telefonatë…
Gazetarja: Si mund ta fiki zonja, mo zotëri?
Administratori: Unë mund të marr një telefonatë tani, që në filan zonë, atje, ka prerje drush. Kush do ta verifikojë këtë? Ajo apo unë?
Gazetarja: Inspektori i zonës.
Administratori: Inspektori i zonës, pra.
Gazetarja: Po Kashnjeti nuk është i zonjës. Cila ishte zona juaj, zonjë?
Denoncuesja: Zona Ungrej, Figar, Kalur./tvklan.al