Sekuestrohen 540 mijë paketa cigare në kufi
U kapën në një trajler me targa serbe
Në doganën e Hanit të Hotit në Shkodër janë sekuestruar sot 540 mijë paketa cigaresh të cilat po tentoheshin të futeshin kontrabandë.
Në një njoftim për mediat nga dogana, bëhet me dije “pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese me paketa cigare të mbërritura në Degën Doganore Hani Hotit, Shkodër, nga Mali i Zi, strukturat doganore ushtruan kontroll dokumentar në mjetin e tipit trajler me targa Serbe, për ngarkesën e cigareve të markave të ndryshme”.
Nga kontrolli dokumentar rezultoi se e gjithë ngarkesa me paketa cigaresh ishte e pa pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
Sipas përllogaritjeve nëse kjo sasi do të hidhej në treg, detyrimi doganor i munguar do të ishte 86.6 milionë lekë, ndërsa penaliteti 260 milionë lekë. Trajleri së bashku me sasinë e cigareve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./tvklan.al