Gjykata e Apelit Tiranë, seanca për Vehbi Alimuçën – (23 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Vehbi Alimuça është paraqitur në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku ende vazhdon rituali i zakonshëm i seancave gjyqësore ndaj tij, si pronar i kompanisë VEFA Holding. Në seancën e sotme u kërkua nga ana e prokurorit ringritja e një grupi të ri ekspertësh. Prokurori Skënder Demiri nuk pranoi, që akti i ekspertimit të merret si i rregullt nga ana e gjykatës për shumë arsye.
Me kërkesën e prokurorit ishin të një mendimi edhe avokatët e të pandehurve. Avokatët e Dhimitër Gjovrekut, Esat Berxollit, Dritan Avllait dhe Astrit Meçes, kërkuan në këtë seancë pushimin e çështjes ndaj klientëve të tyre. Ndërsa avokati i Vehbi Alimuçës, Arben Vani, kërkoi që klienti i tij të shpallet i pafajshëm, sepse nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e tij./tvklan.al