Darka tek Nusreti, Mazniku: Çdo gjë u vendos dhe u pagua nga kompania


Darka tek Nusreti, Mazniku: Çdo gjë u vendos dhe u pagua nga kompania

22:49 11/01/2021

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku, ka sqaruar mbrëmjen e kësaj të hënë në emisionin “Opinion” videon e publikuar në rrjetet sociale ku një delegacion i shtetit shqiptar shfaqej në një prej lokaleve më të njohura të Dubait siç është ai i Nusretit.

Mazniku tha se ajo video është nxjerrë nga konteksti. Sipas tij çdo gjë është caktuar nga pala pritëse, kompania Emaar, me të cilën po negociohet për disa projekte të rëndësishme në Shqipëri.

Hoteli, makinat që i kanë shoqëruar, madje edhe darka tek restoranti i njohur, sipas Maznikut, janë vendosur dhe paguar nga pala pritëse.

“Së pari ajo situatë dhe ajo video e nxjerrë jashtë konteksti edhe unë po të isha në Tiranë do ndihesha keq dhe ndoshta i revoltuar me qeveritarët e mi. Unë i mirëkuptoj qytetarët dhe ndaj është e nevojshme tu shpjegojmë më shumë atyre. Në kontekstin e një vizite zyrtare në të cilën janë pala ftuese se ku në cilin hotel qëndrohet, në cilin restorant hahet dreka, darka, e kështu me radhë është proces që pala e ftuar ka pak çmund të vendosë. Në rastin konkret ne u ftuam aty, madje menuja ishte caktuar nga pala pritëse, ashtu siç ishte hoteli, makinat që na pritën në aeroport”.

Sipas Maznikut, të gjitha shpenzimet e delegacionit shqiptar gjatë qëndrimit në Dubai janë marrë përsipër nga kompania Emaar.

“Të gjitha shpenzimet e delegacionit shqiptar gjatë periudhës së qëndrimit në Dubai ishte të marra përsipër nga kompania. Kishte përfaqësues të kompanisë gjatë darkës, por që nuk dalin në video”, tha Mazniku.

Mazniku deklaroi se ndodhej në delegacionin e Dubait me qëllimin për të bindur kompaninë Emaar, që pas investimit në Durrës të shohë mundësinë edhe për Tiranën.

Ai tha se përveç portit të Durrësit janë edhe disa projekte që po negociohen në kryeqytet në zonën e Bulevardit të Ri apo për rindërtimin me vlera që shkojnë në miliarda euro./tvklan.al






Të ngjashme