Rikonstruksioni i burgut 302 në Tiranë – (31 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ky është burgu 302 në Tiranë. Ka më se një muaj që këtij institucioni, i është rikthyer kati i tretë, i cili për shumë kohë ka qenë nën administrimin e drejtorisë së ruajtjes së objekteve. Drejtoria e objekteve e ka përdorur këtë pjesë të burgut 302, si fjetore për efektivin e tij, gjithashtu dhe si depo armatimi. Ky problem ka qenë shumë shqetësues për drejtorinë e këtij burgu.
Me anë të një marrëveshje të bërë mes drejtorisë së këtij burgu dhe degës së objekteve u vendos që kati i tretë t’i rikthehet të zotëve. Kështu u shtua paksa hapësira në këtë burg. Për rikonstruksionin e katit të tretë, të burgut 302 është dhënë një shumë prej 1 milion lekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë drejtori Petrit Ismaili.
Petrit Ismaili:- “Deri para tre muajsh, kati i tretë ka qenë pjesë e policisë, degës së objekteve të policisë së Tiranës. Me një fond të qeverisë shqiptare u bë e mundur rikonstruksioni i tij dhe u përshtat për ambientet e të dënuarit. Ruajtja e burgjeve ka parametra teorik, të cilët duhet të zbatohen dhe nisur nga kjo ajo nuk mund të ekzistonte bashkë në një objekt të sigurisë së lartë si burgu 302”.
Pas një kohe të shkurtër punimesh, kati i tretë i burgut 302, filloi të funksionojë. Ambientet në dhomat e të burgosurve, janë të një standardi të lartë dhe jo të mbingarkuara./tvklan.al