Kim takohet me Celibashin: KQZ, përgjegjëse për të siguruar kandidatë të pastër
Ambasadorja amerikane Yuri Kim është takuar këtë të premte me kryekomisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe nënkryetaren Pelinku. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja tha se SHBA-ja mbështet përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 25 Prill.
“Mbështesim përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 25 Prill duke implementuar identifikimin biometrik dhe masat e tjera, duke siguruar kandidatë të pastër dhe ndalimin e blerjes së votës apo manipulimin e saj”, tha Kim.
Kim u takua me Celibashin dhe Pelinkun 100 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. Mësohet se ajo u ka shprehur atyre mbështetjen për rolin e tyre kritik në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ajo nënvizoi nevojën për të zbatuar në kohë dhe mënyrën efikase identifikimit biometrik dhe masa të tjerë të nevojshme. Duke kujtuar letrën e saj të 31 Gushtit drejtuar kryetarëve të partive, ajo kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër. Në këtë drejtim, ajo përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor. Këto përcaktime mbeten në fuqi”, thuhet në një njoftim të ambasadës.
Ata ranë dakord që KQZ-ja duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për të mundësuar ndjekjen penale të shkeljeve, por së pari për t’i parandaluar shkeljet, përfshirë duke zbatuar masa për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave.
“Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe popullit shqiptar ndërsa ata punojnë për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë”, përfundon njoftimi i ambasadës./tvklan.al