Nano e Dokle në konferencën e 9-të të PS në Kukës – (11 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe nënkryetari i parlamentit Namik Dokle, morën pjesë sot në konferencën e 9-të të degës së kësaj partie në Kukës. Konferenca bëri përzgjedhjen e kandidaturave të mundshme për deputet, si dhe diskutoi strategjinë elektorale për zgjedhjet parlamentare.
Kukësi bashkë me Hasin do të nxjerrin legjislaturën e ardhshme 3 deputetë, të cilët u propozuan nga konferenca. Në fjalën e tij, kryetari Nano tha, se kandidimi përmes konkurrimit sjell një unitet real dhe jo fals të strukturave të PS dhe ky model realizon demokracinë brenda partisë.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Ne sot jemi të kritikuar se mediat kanë gjithë lirinë dhe hapësirat për informim të njerëzve. Ne sot jemi të kritikuar se drejtësia nuk komandohet më nga zyrat e shtetit, ndërsa policia përgjigjet vetëm për sigurimin e rendit publik. Ne jemi të kritikuar se jemi tolerant ndaj kundërshtarëve tanë politik, deri në vazhdimin e tryezave të dialogut. Prandaj ne krenohemi që gjatë mandatit të parë qeverisës, shqiptarët janë më të lirë se kurrë”.
Kryetari socialist shpalli dhe sloganin elektoral që do të shoqërojë PS, në të gjitha konferencat e rretheve nga veriu në jug, të vendit. Ky slogan është “Së bashku në udhë të mbarë”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego