Festimi i Pashkëve në Elbasan, Korçë e Kavajë – (15 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Katolikë dhe ortodoksë të Elbasanit, kanë festuar mesnatën e djeshme ringjalljen e Krishtit. Si rrallëherë kishat sivjet ishin mbushur me besimtarë, për të marrë pjesë në meshat e organizuar nga klerikët, në kishën Shën Maria e Shën Thanasi. Në Elbasan edhe besimtarë të feve të tjera marrin pjesë në këto ceremoni. Ky është edhe mesazhi më i mirë për një jetë në paqe dhe harmoni.
Ndërsa në qytetin e Korçës, në katedralen Ngjallja e Krishtit, metropoliti i qytetit, Imzot Johan Pelushi, zhvilloi ceremoninë e Pashkëve. Sheshi u ndriçua nga flakët e qirinjve, ndërsa në sfond, dëgjoheshin tingujt e kambanës. Korit të kishës i bashkohej edhe zëri i besimtarëve “Krishti u ngjall”.
Edhe në qytetin e Kavajës dita e Pashkëve, ka rezervuar një ceremoni të veçantë. Ortodoks dhe katolikë kavajas, i janë drejtuar ambienteve të kishës, duke përkujtuar kështu ringjalljen e Krishtit./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti