Fëmijët lypsarë, të lindurit pa shpresë (19 Prill 2001)
Quhet Xhulia, është 10 vjeç dhe ka po 10 vjet që punon në rrugët e Tiranës. Dikur vetëm lypte, por tani ka mbi 3 vjet që lan xhamat e makinave në semafor. Dita e saj e punës nis nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 17:00 të pasdites. Ajo nuk është e vetmja që punon këtu dhe Besmiri 13 vjeç bën të njëjtën punë. Gentiani është 7 vjeç, gjithë ditën e kalon duke fshirë makinat dhe nuk ka shkuar asnjë ditë në shkollë dhe nuk e ka idenë se sa lekë fiton në ditë.
Për të si për gjithë të tjerët është e rëndësishme që lekët të dorëzohen në darkë tek nëna e cila nuk punon, por menaxhon nga larg punën që kryejnë fëmijët e saj. Ky është biznesi më i ri që ka nisur semaforëve të Tiranës. Këta fëmijë kërkojnë ndonjë monedhë për punën që kryejnë, në dallim nga lypësat e vegjël që synojnë lokalet apo rrugën për të nxjerrë bukën e përditshme./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori