Banorët e Marinzës në Fier të helmuar nga puset e naftës – (21 Prill 2001)


Banorët e Marinzës në Fier të helmuar nga puset e naftës – (21 Prill 2001)

10:05 21/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Të jetosh pranë puseve të naftës dhe më pas të vuash sëmundje të rënda për tërë jetën. Ky është fati i rreth 600 familjeve të fshatit Marinz në Fier. Dy mijë banorë të fshatit kanë 45 vjet që bashkë me oksigjenin thithin dhe gazrat helmues të vendburimeve të naftës që i rrethojnë dhe puseve të gazit.

Gazi që çlirohet nga nxjerrja e naftës është me përqindje të lartë helmi, që për pasojë ka sjellë dhe viktima. Jo vetëm naftëtarët, por dhe familjarët e tyre, pas analizave të bëra kanë dalë me karbon në gjak. Ja se çfarë thotë kryeplaku i fshatit.

“Mendojmë se 100% e popullsisë që banon këtu është me karbon në gjak. Ne kërkojmë shumë gjëra nga shteti, por jemi pesimist se mund të bëhet gjë me nevojat që ka Marinza. Ne në radhë të parë kemi nevojë, të pastrohet ambienti, të bëhet ashtu siç duhet të jetë, puset mos të rrjedhin, gazi mos të dali në natyrë, ose të na shpërngulin ne si fshat, që edhe kjo është një kosto e lartë për shtetin”.

Naftëtarët edhe pse e dinë që në trupin e tyre kanë mbirë helme nga më të rrezikshmet, që një ditë edhe mund t’i vrasë, vazhdojnë të punojnë çdo ditë në puset e naftës./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme