Ekspertët italianë kërkojnë dosjen për Pecorelli-n
Hetuesit vizituan zonën ku u zhduk 45-vjeçari
Ekspertët italianë të kriminalistikës që kanë mbërritur në vendin tonë për të hetuar zhdukjen e biznesmenit Italian Davide Pecorelli, kanë kërkuar më shumë prova për të zbardhur ngjarjen.
Mësohet se ata kanë kërkuar nga hetuesit shqiptarë dosjen me deklarata e dëshmitarëve dhe pamje të kamerave të sigurisë ku është fiksuar 45-vjeçari italian para zhdukjes. Ekspertët italianëkanë shkuar fillimisht në policinë e Pukës ku kanë parë nga afër makinën e djegur që përdorte 45-vjeçari.
Këto janë pamjet teksa hetuesit nga Italia po shohin nga afër automjetin Skoda që përdorte Pecorelli.
Ata janë drejtuar më pas në zonën ku u gjet i djegur automjeti, në fshatin Gjegjan pranë Pukës, për të bërë një vlerësim të vendngjarjes. Hetuesit italianë i ka shoqëruar drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj.
Teksa janë në pritje analizës së AND-së për të kuptuar nëse eshtrat e gjetura brenda makinës së djegur janë të Davide Pecorelli-t, autoritetet shqiptare nuk kanë qenë ende në gjendje të përcaktojnë se pse mori flakë makina e marrë me qira nga biznesmeni italian.
Prokuroria e Peruggia-s e ka regjistruar ngjarjen si vrasje, ndërsa mediat në Itali kanë hedhur dyshime se 45-vjeçari mund të jetë grabitur dhe vrarë përpara se makina të merrte flakë.
Ngjarja është mbuluar me mister dhe hetuesit kanë në dorë shumë pak prova për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me vrasje apo ngjarje aksidentale. Davide Pecorelli u zhduk më 6 Janar në zonën e Pukës. Ai qëndroi për 2 net në një hotel në zonë dhe kur po kthehej humbi gjurmët. Pecorelli po hapte biznese kozmetike në Shqipëri.
Tv Klan