Debate të ashpëra në mbledhjen e PAD, sherri Ceka-Imami – (21 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në tensionet e inateve të akumuluara, ka nisur sot mbledhja e asamblesë aleanciste. Benzinën zjarrit ia ka hedhur deklarata për qëndrimin për Kosovën. Presidenti Ceka ka propozuar, që fillimisht të diskutohet për hartimin e një projektdeklarate në lidhje me këtë qëndrim, por është kundërpërgjigjur Imami, duke thënë se ky qëndrim dihet. Kaq ka mjaftuar, që aleancistët për më shumë se një orë të zihen me këtë çështje. Ridvan Pëshkëpia thotë:
Ridvan Pëshkëpia:- “Nuk u ra dakord sepse disa individë të tjerë kishin paraqitur, u tentua të futej në formën e një projekt-programi alternativ, por është vendosur të diskutohet projekt-programi i paraqitur nga kryesia”.
Nuk ka vonuar të shpërthejë ashpër konflikti mes krerëve të PAD. Sharje e fyerje të rënda. Ky ka qenë bashkëbisedimi mes Neritan Cekës e Ridvan Pëshkëpisë. Bashkëbisedim që për pak ka përfunduar në zënie me grushta. Në këtë atmosferë është mbyllur mbledhja e sotme e PAD, duke lënë pezull qëndrimin nëse do të vazhdojnë me Aleancën për Shtetin, apo do të pranojnë ftesën e Berishës./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori