Brenda qendrës së organizimit të veprave, si u shkatërruan bustet e diktarorëve (23 Prill 2001)
10 vjet më parë, kur shqiptarët vendosën të shembnin kursin e marksizëm leninizmit, këtu në qendrën e organizimit të veprave të artit u mbyllën për të mos dalë më kurrë, mbetjet e fundit të ideologëve të komunizmit. Këtu pranë e pranë janë statujat e Stalinit, 3 gjithsej, njëra më e madhe se tjetra. Dy prej tyre janë ndërtuar dhe derdhur në këtë ndërmarrje. Ndërsa kjo statujë tjetër është prodhuar dhe sjellë nga ish Bashkimi Sovjetik.
Pak më larg në cepin tjetër, i rrethuar nga mbeturinat e hedhura pa kujdes, qëndron Lenini. Erozioni ka krijuar një të çarë të madhe në shtresën prej 10 centimetrash të bronzit dhe ai duket se po jeton çastet e fundit. Si për të treguar se komunizmi i vërtetë zbatohej vetëm në Shqipëri, Enver Hoxha nuk ka pranuar që të qëndrojë në të njëjtën sallë me të tjerët.
Ndoshta ka qenë dëshira e diktatorit që të përjetësohet në mermer, por ai harroi që dhe mermerët shkatërrohen dhe gërryhen nga erozioni i kohës, ashtu siç u shemb dhe miti i diktatorëve./tvklan.al