Kriza politike në Itali, topi kalon në krahun e Presidentit
Giuseppe Conte arriti që të merrte shumicën edhe pse me vështirësi pas daljes nga koalicioni të partisë së Matto Renzi-t, po pak ditë më vonë dha dorëheqjen duke shtuar krizën politike në vend në një kohë kur duhet që të përballet edhe me pandeminë.
Ditën e sotme janë zhvilluar konsulta mes partive politike dhe Presidentit Sergio Matarella. Megjithatë një zgjidhje për të gjetur qetësinë në këto momente të vështira duket ende larg.
Në Presidencën italiane kanë shkuar ditën e sotme përfaqësues të një prej partive kryesore të mazhorancës “Lëvizjes 5 Yjet”. Kjo parti mbështet Conte-n në krye të qeverisë si dhe vazhdon të jetë e hapur për një zgjidhje me Italia Viva-n, partinë e Renzi-t. Megjithatë kjo lëvizje mund të shkaktojë irritimin e anëtarëve të tjerë të partisë, të cilët paralajmërojnë ndarjen me “5 Yjet” nëse rikthehet Renzi.
“Presidentit Matarella i kemi shprehur gatishmërinë për një përballje me ata që në zemër kanë interesin e shtetit, për një qeveri politike duke u nisur nga forcat aktuale të mazhorancës, por me një pakt ligjesh”, ka deklaruar përfaqësuesi i “Lëvizjes 5 Yjet”, i cili më tej ka shprehur edhe mbështetjen për të qenë Conte ai që drejton qeverinë.
Por para takimit me 5 Yjet, Mattarella u takua me të djathtën, Lega-n, Fratelli d’Italia dhe Forza Italia. “I kemi kërkuar presidentit Mattarella të shkarkojë Dhomën e Ulët dhe të vlerësojë zgjedhjet e parakohshme”, është shprehur Matteo Salvini në një deklaratë pas takimit. Tashmë Mattarella ka për detyrë që të gjejë një zgjidhje.
Ndërkohë Matteo Renzi ditën e djeshme ka lënë vend për një rrugëzgjidhje për të qëndruar Conte si kryeministër. Ai ka kërkuar një sqarim politik me aleatët e tij për të vërtetuar nëse ende ka një mazhorancë./tvklan.al