Vijon situata e përmbytjeve në Shkodër
Moti i keq, pezullohen lundrimet në porte
2785 hektarë mbeten ende nën ujë në zonën e Nënshkodrës. Reshjet nuk kanë qenë të vazhdueshme, por situata mbetet e vështirë. Rruga e Obotit është e kalueshme me vështirësi me mjete të larta ndërsa ka problem me furnizimin me ujë të pijshëm.
Në zonën e Dajçit janë rreth 80 shtëpi që kanë prezencë uji në oborre. Niveli i liqenit të Shkodrës ka pësuar një rënie të lehtë në krahasim me një ditë më parë.
Rënie të nivelit me 30 centimetra ka pasur dhe lumi Drin. Moti i keq i orëve të fundit ka bërë që të pezullohet lundrimi për anijet e vogla dhe ato të peshkimit në portin e Vlorës.
Në det të hapur forca e dallgëve shkon deri në 5 ballë. Anijet e transportit të pasagjere vijojnë lundrimin, por trageti i nisur nga Brindizi përfundoi me 6 orë vonesë në port.
Pritet që kushte të përmirësohen pasditen e së hënës, por deri atëherë kapiteneria ka kërkuar që të mos dalin në det mjetet e vogla lundruese.
Tv Klan