Sindikalistët në Shqipëri protestojnë të ndarë në ditën e 1 Majit – (1 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kudo në botë, dita e solidaritetit të punonjësve përkujtohet mes protestave dhe kërkesave që sindikata i drejton qeverisë. 1 Maji është dita e bashkimit të të gjitha sindikatave për përmirësimin e kushteve të punës. Në Shqipëri ndodh ndryshe, sot secila sindikatë ka festuar për hesap të vetë.
Në bulevardin “Zogu i I”, përkujtimin me protestë e ka bërë Sindikata e Pavarur e Minatorëve. Kaq sa shihni këtu me parulla e duke dëgjuar kryetarin e sindikatës, janë mjaftuar për ta quajtur ditë të tyre. Kërkesat e tyre ishin hapja e vendeve të punës, ngritja e pensioneve dhe e pagave. Në krahun tjetër brenda Muzeut Kombëtar dita e 1 Majit është dukur me e veçantë. Për herë të parë qeveri dhe konfederatë sindikale kanë festuar bashkë.
Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Punës, Makbule Çeço, përveç të pranishmëve, përshëndeti në këtë ditë edhe emigrantët. Sipas saj, në të gjithë Shqipërinë gjenden 200 mijë të papunë, shifër kjo e ulur në maksimum.
Si subjekt më vete ka dalë sot Sindikata e Transportit. Në konferencën për shtyp është deklaruar se pas 15 ditësh, do të shpallin grevën e përgjithshme të transportit. 8 mijë aderuesit e kësaj sindikate, kryesore kanë rritjen e pagës. Pak a shumë kjo është e gjitha që është kërkuar sot por në forma të ndryshme./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti