Pandemia kërcënon turizmin në Dubai
Një pjesë e madhe e vendeve ndalojnë fluturimet me Emiratet e Bashkuara Arabe
Një valë e dytë e infeksioneve të koronavirusit po kërcënon turizmin në Dubai. Një nga destinacionet e pakta të hapura për udhëtarët ndërkombëtarë që nga Korriku, ky vend ende nuk ka vendosur kufizime të ashpra pas infeksioneve me shpresën se vaksinimet do t’i japin fund pandemisë Covid-19.
Gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri numri i vizitorëve ishte shumë i lartë, por hotelet luksoze të vendit panë një ulje të rezervimeve gjatë Janarit pasi disa vende ndaluan udhëtimet me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Turistët britanikë dhe izraelitë nuk i kanë frekuentuar më plazhet e Dubait pasi Britania e Madhe dhe Izraeli vendosën karantinën për shkak të rritjes së rasteve dhe varianteve të reja.
Danimarka po ashtu pezulloi fluturimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Bllokimet erdhën pas rritjes së rasteve. Që nga fundi i Janarit e deri më tani Emiratet e Bashkuara Arabe po luftojnë me shpërthimin më të madh të Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.
Të vetmet masa që kanë ndërmarrë autoritetet në Dubai janë maska e cila tanimë është bërë e detyrueshme në të gjitha ambientet. Gjithashtu është kufizuar edhe kapaciteti në restorante, tubimet dhe festat janë ndaluar.
Sipas ekspertëve nëse edhe vendet e tjera ndërpresin fluturimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo do të sjellë një goditje të madhe teksa Dubai po përgatitet të presë panairin botëror Expo 2020 i cili u shty për shkak të pandemisë.
Klan News