Dosja Gjallica, gjyqi i Fitim Gërxhalliut – (8 Maj 2001)


Dosja Gjallica, gjyqi i Fitim Gërxhalliut – (8 Maj 2001)

21:06 08/05/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Për herë të parë dërgohet në gjykatë Fitim Gërxhalliu, ish-menaxheri i piramidës Gjallica. Gjykata e Apelit në seancën e radhës, për ish-piramidën Gjallica, sot ka pritur dhe Fitim Gërxhalliun i vetëdorëzuar në polici pak javë më parë. Për herë të parë ai u përballë sot me drejtësinë, që kur gjykata e Tiranës e dënoi atë me 20 vjet burg në mungesë.

Ky është Fitim Gërxhalliu, i ulur në bankën e të akuzuarit, ku bashkë me avokatin e tij Mark Pëllumbi, kërkon të mbrohet ndaj akuzave që i janë bërë. Pikërisht dosjet e shumta të prokurorit Bilbil Mete e kanë trembur pak atë sipas Pëllumbit. Ndaj para nisjes së seancës avokat Pellumbi kërkoi:

Avokat Mark Pëllumbi:- “Kërkoj përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor dhe për dëgjuar pretendimet e tija dhe mbase për të kërkuar dhe prova të reja për t’i paraqitur para jush”.

Kjo kërkesë u hodh poshtë nga prokurori Mete. Edhe gjyqtari i Apelit Edmond Gogo, hodhi poshtë kërkesën e avokatit Pëllumbi duke urdhëruar vazhdimin e procesit. Ai në fillim lexoi aktakuzën dhe vendimin e gjykatës së Tiranës, vjedhje me mashtrim në bashkëpunim të mbi 69 mijë kreditorëve është akuza me të cilin Gërxhalliu u dënua me 20 vjet burg, po aq sa dhe Gani Kadria. Në seancat e ardhshme Gërxhalliu do të sqarojë pozicionin e tij, në gjithë aktivitetin piramidal të Gjallicës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme