Reduktohen shërbimet në maternitetin e Beratit – (11 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Materniteti i qytetit të Beratit, për më shumë se 20 vjet ka shërbyer edhe si spital shërbimesh obstetrike-gjinekologjike për të gjithë zonën. Një vit më parë nëpërmjet një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë, u planifikua, që shërbimet që kryen këtu të reduktohen. Pas këtij projekti nuk u mendua fare për ambientet që duhen, duke e kthyer spitalin në qendër gjysmake shërbimi. Kozma Brisku njëri prej specialistëve të maternitetit thotë:
Kozma Brisku:- “Ambientet ku mendohet të shkojë shërbimi jonë, janë të pamjaftueshme, të papërshtatshme dhe jo funksionale. Gjithashtu në vend të përqendrimit, shërbimi ynë copëtohet në disa pjesë. Në ato reparte nuk ka salla operacioni dhe ambiente për fëmijë. Vendosja e shërbimit tonë në katin e parë të shërbimit të vjetër na duket e papërshtatshme”.
Ndërsa vetë drejtori i maternitetit të Tiranës Halim Kosova pasi vizitoi këtë spital u shpreh.
Halim Kosova:- “Konkluzioni ynë i përbashkët do të jetë, që gratë e Beratit të mos shkojnë qyteteve të tjera, po t’i kenë të gjitha kushtet këtu për të mbaruar hallet që kanë”.
Gjithsesi ky mjedis i reduktuar, tashmë nuk mund të mbulojë dot klinikisht pacientët që vijnë nga të gjitha zonat në afërsi të Beratit./tvklan.al