Javë vendimtare për qeverinë e Draghi-t
Nëse arrihet marrëveshja me partitë e tjera, Mario Draghi do të betohet të premten
I ngarkuari për të drejtuar qeverinë italiane Mario Draghi pritet që të zhvillojë këtë javë raundin e dytë të bisedimeve për të fituar mbështetjen e duhur. Konsultimet, kësaj here me një ritëm më të shpejtë, do të shërbejnë për të shpjeguar se cili do të jetë plani i tij i veprimit për formimin e qeverisë.
Në raundin e parë të bisedimeve Draghi mori mbështetjen edhe nga skeptikët e Lëvizjes 5 Yje dhe Lega Nord, të cilët kanë vendet e nevojshme në dy dhomat e parlamentit. Tgcom24 bën të ditur se betimi i Draghi-t dhe ekipit të tij do të bëhet të premten.
Fondi 200 miliardë dollarësh si ndihmë ekonomike dhuruar nga Bashkimi Evropian për pandeminë Covid-19 është fokusi kryesor i Draghi-t dhe nga këtu ai pret që të marrë mbështetjen e nevojshme.
Vaksinimi masiv i popullsisë dhe punësimi, i cili ka rënë shumë për shkak të pandemisë, janë disa nga prioritetet kryesore të ish-Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane.
Klan News