Parlamenti zhvillon seancën për privatizimin e Albtelecom, Muçi: Fondet do të ruhen (16 Maj 2001)
Deputetët nuk i kanë dhënë fund sonte dilemës për privatizimin e Albtelecom. Për miratimin e projektligjit të qeverisë për privatizimin e kësaj shoqërie Parlamenti ka shtyrë mbylljen e punimeve të kësaj legjislature deri nesër në mesditë.
Në mënyrë të papritur në duart e deputetëve janë shpërndarë disa variante për projektin për privatizimin e Albtelecom duke shkaktuar konfuzion në sallën e parlamentit. Versioni i fundit i komisionit të ekonomisë dhe financave, parashikon shitjen jo më pak se 51% dhe jo më shumë se 76% të aksioneve të Albtelecom për investitorët strategjikë.
Demokratët kanë këmbëngulur që privatizimi i Albtelecom të diskutohet pas zgjedhjeve parlamentare. Madje nënkryetari Jemin Gjana ka shkëmbyer replika me deputetin socialist Erjon Braçe. Ministri i Ekonomisë Publike Mustafa Muçi dhe Ministri i Financave Anastas Angjeli kanë dhënë garanci se fondet që do të përfitohen nga privatizimi i Albtelekom nuk do të shpërdorohen./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame