Gjatë pastrimit te kanaleve kulluese, Ujësjellësi Durrës prish kabllot elektrikë (22 Maj 2001)
Një defekt i rëndë në rrjetin elektrik i shkaktuar nga pakujdesia, lë pa energji më shumë se gjysmën e qytetit të Durrësit për gati 10 orë rrjesht. Eskavatori i Ndërmarrjes së Ujërave duke pastruar kanalet e ujërave të zonave të plazhit dhe Shkozetit ka dëmtuar rëndë trasenë kryesore të kabllove të tensionit të lartë që furnizojnë me energji qytetin e Durrësit.
Si përfundim janë prishur kabllot e tensionit të lartë 20 kilovoltëshe me një vlerë materiale prej 1,8 milionë lekëve të reja. Sipas drejtuesve të filialit të KESH në Durrës, brigadat e tyre po punojnë prej 18 orësh që të përfundojë riparimi i 2 prej 3 kabllove të dëmtuara. I treti ka probleme më të mëdha.
Si pasojë ndërprerjet e energjisë në qytetin e Durrësit do të vazhdojnë edhe këto dy ditë. Vështirësitë në punime sipas specialistëve i kanë shtuar edhe ndërtimet pa leje të ngritura në hyrje të qytetit të Durrësit anash autostradës. Këto ndërtime gjenden mbi trasenë e kabllove të tensionit të lartë që pengojnë ndërhyrjet në rrjet./tvklan.al