Opinion-Përplasja e listave!
Autori: Blendi Fevziu
21:46 09/03/2021Flutura Açka tregon si pranoi të futej në listën e PD-së: Nuk heq dorë nga parimet e mia prej partisë
Një nga emrat surprizë në listat e PD-së ishte Flutura Açka. Shkrimtarja e njohur gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” tha se ka qenë selia blu ajo që i është ofruar dhe pastaj ajo e ka pranuar.
“Ka qenë ftesë e PD-së. Më është ofruar mua partia dhe jo unë partisë. Nuk është çudi, ndoshta duket çudi në moment të parë, por nuk është çudi sepse ‘unë jam gazetare në orët e para të demokracisë. Në vitin ‘92 kur kanë qenë zgjedhjet e para unë kam qenë nga ato vajza që kam bërë reportazhet e para të demokracisë pa u bërë akoma zgjedhjet. Vokacioni nuk është aspak i çuditshëm që është në këtë gjë. Është gjë normale. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për mua në këtë moment dhe mendoj se është i drejtë. Unë kam patur ftesa gjatë këtyre 30 viteve nga e djathta. Kjo ftesë ka ardhur që në 2017, por nuk kam qenë e përgatitur. Kam pasur kohë 4 vite që të marr këtë vendim”, tha Açka.
Shkrimtarja tha se ka qenë pjesëmarrëse në disa protesta. Açka tregoi se vendosi që të hynte në politikë për të kontribuar nga brenda sistemit, pasi nga jashtë kjo gjë është shumë e vështirë për ta bërë.
“Nga jashtë sistemit është e vështirë që të kontribuosh në gjëra konkrete për të cilat kam shqetësim si qytetare. Mendova që do të ishte më mirë nga brenda sistemit pasi ka dominancë politike shumë të madhe. Qoftë edhe për të sjellë një lloj qetësimi fundja edhe të politikës shqiptare”, tha Açka.
Shkrimtarja u shpreh se nuk do të heqë dorë nga parimet e saj për shkak të partisë.
“Në një stad të atillë të jetës sime por dhe situatës sime personale që këto gjëra, në një farë mënyrë unë jam një kockë e bërë, është e vështirë që ndonjë korrezion të më deformojë. Partia ka rregullat e veta, ka zemrek tjetër. Jam e bindur që në rastin tim, fakti që më është ofruar PD-ja do të thotë që më ka pranuar me ato lloj principe. Mendoj se nuk do të më detyrojë që të ndryshoj profil dhe nuk kam për të ndryshuar zoti Fevziu, do të jemi këtu dhe unë nuk do të bëj atë që është kundër principeve të mia. Këtë jua garantoj”.
Açka tha se ka disa gjëra që do t’i transferojë në politikë. Kandidatja për deputete në zonën e Elbasanit tha se është shumë e rëndësishme që në këto momente të ketë përparësi në çështjet e trashëgimisë kulturore dhe kulturës.
Kandidatja e PS për Shkodrën: Ftesën e mora nga Kryeministri, fjalia që më bëri të thoja ‘po’
Edona Bilali kryeson listën e Partisë Socialiste në Shkodër për zgjedhjet e25 Prillit. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, Bilali tregoi sesi e kishte marrë ftesën për të qenë kandidate për deputete.
Si u lidhët me PS dhe nga ju erdhi ftesa?
Në fakt propozimi ka qenë një surprizë. Kryeministri më thirri në takim. Ishte takimi i parë me Kryeministrin, nuk jemi takuar më parë. Bëmë një takim, ndamë vizionin për Shkodrën, kryesisht.
Më fal po si ju thirri, tha alo jam Edi Rama, po vjen pak?
Nuk më mori dikush nga PS, më mori dikush në emrin e kryeministrit për t’u paraqitur në Kryeministri për një takim me zotin Rama. Jam takuar direkt me kryeministrin, në zyrën e tij. Ai personalisht ma bëri ftesën. Takimi ka qenë një zyrën e zotit Rama, midis meje dhe Kryeministrin. E kuptova me atë çka foli që me ketë 4 vjeçar ai ka seriozisht dhe nëse ai e ka seriozisht, unë e kam akoma më seriozisht sepse kam motiv personal për të bërë ndryshim në Shkodër.
Ju keni një formim lidhje më të fortë me të majtën, personale ose dhe familjare, apo ishte ftesa e Ramës që ju orientoi drejt PS?
Ishte ftesa e Ramës dhe në fakt unë vendimmarrjen për të pranuar këtë pozicion, këtë propozim e kam marrë në takim, gjatë takimit. Pra nuk shkova me një vendim të marrë apo me një gjë konkrete se çfarë do të më propozohej. Kur të thërret kryeministri i vendit definitivisht në takim shkon. Po gjatë takimin që bëmë, teksa unë po thosha pa doreza opinionin që kam për çdo gjë që po ndodh në Shkodër, më tha ‘unë dua që partia të bëhet si ty dhe jo ti si partia’. Edhe mendoj që kjo është fjalia ia vuri vulën edhe më motivoi, sepse unë në punën e përditshme kam impakt tek njerëzit, pore politika është krejt një dimension tjetër dhe shpresoj që do më japë që të sjell vërtetë ndryshim në Shkodër.
Mendoni që angazhimi politik është një angazhim që ka edhe sakrifica, edhe do ju largojë nga biznesi që keni dhe nga shumë gjëra të tjera, pse e morët? E morët thjeshtë se e kishit pasion apo ju motivoi kryeministri dhe dolët pak e sugjestionuar nga takimi me të?
Unë nuk kam pasur asnjë ambicie politike deri tani. Me subjektin dhe me skuadrën që kam është kënaqësia për të bërë ndryshim, ajo që na çon përpara. Kam një skuadër të mrekullueshme të cilën kam vendosur jo vetëm dejuro, por edhe defacto për me hequr dorë që të njëjtin ndryshim shumë më të vogël që bëjmë tek këto njerëz, tek këto biznese të kemi mundësinë ta bëjmë në një formë më të amplifikuar. Nëse gjëja nuk do të bëjë ndryshim, atëherë patjetër që ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, do ta hap krahun vajzave të reja të cilat nuk janë gjithashtu të përfshira politikisht, sepse mendoj se unë ato përfaqësoj.
Pjesa më e madhe e politikanëve të rinj, vazhdimisht në këto njëzet e ca vjet që unë bëj emisione, thonë që duam të sillemi ndryshe dhe pas muajsh bëhen identikë si ata që nuk duan të bëhen. Ke frikë që mund të të ndodhë kjo gjë?
Nuk besoj, nuk kam frikë fare në fakt, sepse mendoj që gjatë gjithë kohës, edhe në profesionin tim, udhëhiqem nga vlerat, pastaj nga përfitimi. Në momentin që unë e shoh që po dal nga karakteri apo nuk po bëj atë për të cilën kam hyrë, hapja e krahut, gjithashtu mendoj që është motivim pikërisht për të rinjtë që po gjejnë veten tek unë.
Krahun në këtë vend nuk e ka hapur asnjë politikan, vetëm kur e shtyn ndonjëri me bërryl që e hedh në anë, po vetë nuk besoj se ka pasur hapje krahu…
Nëse nuk do ta hap krahun do të jem prap atëherë të ftuar në studion për të treguar çdo gjë konkrete që do jemi duke bërë për Shkodrën.
Kleçkat që fshihen pas listave, Hoxha: Të fundit i rroftë vota
Këto zgjedhje do të kenë një ndryshim sa i përket listave pasi ato do të jenë të hapura. Megjithatë edhe brenda këtyre listave që u miratuan në Kuvend vitin e kaluar pas debateve të shumta, fshihen disa kleçka që këtë të martë i shpjegoi në studion e “Opinion” analisti Artan Hoxha.
Ai mori si shembull listën e Partisë Socialiste dhe tha se nëse gjysma e dytë e kandidatëve merr më shumë vota për mandat për që ka fituar si parti prapë se prapë nuk mund të hyjnë si deputetë. Sipas tij, ata duhet që të marrin herësin e votave plus 1 votë.
“Supozojmë që deri tek Eduart Shalsi kanë marrë zero vota. Asnjeri, s’ka vënë asnjë votë tek 18 vetat dhe të gjitha votat janë marrë tek 18 të tjerët në mënyrë të barabartë. Pra nga Pandeliu deri tek i fundit kanë marrë votat e partisë në mënyrë të barabartë. Asnjë nga këta 18 e dytë nuk mund të kualifikohen sepse duhet të kishin 1 të 18 plus 1, por kanë fiks 1 të 18. Nëse Majko merr 10 mijë e 2 vota, do të mundë më të dobëtin. Që do të thotë Pandeli Majko, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli e të tjerë me radhë duhet të marrin herësin plus 1 votë. Nëse 18 të parët kanë marrë zero vota individuale dhe të tjerët kanë marrë baras sa herësi, i rroftë që kanë marrë 10 mijë e kusur vota sepse kualifikohen 18 të parët. Pra lista është e hapur, por shih sa pak e hapur. Ka rëndësi votat që marrin individët, por ata që janë tek gjysma e listës ose tek pjesa jo kualifikuese duhet të marrë herësin, pra mesataren e votave për mandat që ka fituar ajo parti plus 1 votë që të futet në garën mes individëve”, tha Hoxha.
Mirëpo, sfida bëhet e vështirë për kandidatët që gjenden në fundin e listave. Kjo pasi kandidatët në vendet e para janë të avantazhuar sepse edhe ata mund të fitojnë vota, duke i bërë të fundit që të mos arrijnë të kalojnë herësin.
“Këta tek pjesa fillestare e listës, mjafton të lodhen ca dhe të marrin ca vota. Sa më shumë vota të kenë marrë këta, aq më pak mbeten për këtë tjerët që të mundin herësin. Me zero vota fitonin këta, po sikur këta të marrin nga 1 mijë vota. Le të marrin këta pastaj nga 8 mijë, ose 9 mijë. Lista e parë, pjesa kualifikuese e listës është shumë e avantazhuar dhe ata mbrapa duhet të bëjnë sforco të madhe”, tha Hoxha.
Çfarë kanë parashikuar listat për gjinitë: Meshkujt nuk heqin femrat, por…
Listat në zgjedhjet e 25 Prillit kanë të veçantë faktin që deputetët që ndodhen në pjesën jokualifikuese, nëse marrin sa mesatarja e votave për mandat që ka partia plus 1 votë, mund të kualifikohen për deputetë. Por çfarë ndodh me pjesën e listës që ekspertët e quajnë të sigurt?
Në emisionin “Opinion” u tha këtë të martë se kandidati që merr më shumë vota do të zëvendësojë më të dobëtin në pjesën e sigurt të listës. Por edhe këtu ka disa specifika.
Për shembull nëse një kandidat mashkull fiton më shumë vota, atëherë ai nuk mund të skualifikojë një grua që qëndron mbi vijën e kuqe, por vetëm një kandidat të së njëjtës gjini.
“Në rast se nuk është grua. Në rast se e para mbi vijën e kuqe do ishte zonjë atëherë e pëson tjetri”, tha gazetarja Juli Xhokaxhi.
Ndërkohë analisti Artan Hoxha shtoi se në rast se ndodh që një kandidate femër në pjesën e pasigurt të listave të marrë më shumë vota, ajo mund të skualifikojë si kandidaten femër ashtu edhe atë mashkull më të dobët.
“Burri nuk skualifikon një grua. Gruaja mund të skualifikojë edhe një grua edhe një burrë”, tha Hoxha.
Tabaku: Nuk është fushë me lule, politika nuk është një profesion ose punë me orar
“Është privilegj sigurisht, por është edhe një përgjegjësi shumë e madhe që unë do e justifikoj me rezultatin e zonave që unë ndjek degët 2, 3 dhe 10 këtu në Tiranë. Unë besoj që kam lidhje të hershme me këtë qytet. Të dyja familjet e mia janë familje tradicionale tiranase. Kam qenë zv/Kryetare e Bashkisë së Tiranës, deputete e këtij qarku, por ajo që është më e rëndësishmja unë jam rritur në Partinë Demokratike. Unë kam qenë anëtare e forumit rinor që 16 vjeç kam bërë çdo detyrë që bën një anëtar i thjeshtë i partisë, kam ngjitur postera, kam qenë në komisione numërimi dhe votimi. Nuk e kisha menduar kurrë që unë do të isha një personazh publik dhe aktiv në jetën publike. Mbasi përfundova studimet në vitin 2009 në Angli, kur u ktheva përfundova doktoraturën m’u bë një propozim për t’u angazhuar në politikë. Besoj që atëherë e kam shpërblyer me punë vlerësimin që më është dhënë.”
Tabaku vlerëson përfaqësimin me zonjat e nderuara në listat e Partisë Demokratike, që përbëjnë një avantazh në këto lista sipas saj.
“Mua më vjen mirë dhe jam shumë e kënaqur që ne kemi gra dhe zonja të forta që përfaqësojnë vlera, të cilat variojnë që nga ato që kanë kontribute të hershme në parti si anëtare forumi si znj. Serina Koti, pedagoge e Ekonomisë dhe që sot është në listën e kandidatëve të Korçës për të treguar që meritokracia vlen. Ina Zhupa, 8 vite shumë të forta opozite që sot është kandidate për deputete në listën e Vlorës. Njëkohësisht kjo e kombinuar edhe me intelektualë si znj.Flutura Açka, Taulanta Jupi, por edhe me të reja energjike si Ori Nebijaj.”
Jorida Tabaku është nënë e tre fëmijëve. Ajo tregon për “Opinion” se sa e vështirë është të jetë numri 2 në listën e Partisë Demokratike të Tiranës e angazhuar me fushatën elektorale.
“Nuk them që është e lehtë dhe i bëj të gjitha mirë. Nuk është një fushë me lule, politika nuk është një profesion ose një punë me orar. Ne jemi të angazhuar gjithë ditën dhe sigurisht që është kënaqësi tjetër kur shkon në shtëpi dhe gjen fëmijët. Më kanë dhënë një forcë dhe një motivim tjetër. Ndonjëherë më duket sikur dita nuk mjafton, sikur ka shumë gjëra për t’u bërë po më japin motivimin që unë duhet të punoj më shumë.”
Ajo është e bindur në fitoren e Partisë Demokratike dhe për kundërshtarët në Qarkun e Tiranës nuk ka asnjë emër të denjë për përfaqësim. Sepse zgjedhjet sipas saj janë të vendosura vetëm nga një emër, ai i kryeministrit Rama.
“Nuk ka nëse Partia Demokratike është në qeveri nesër, është fituese, se kush është në kabinetin e qeverisë është e rëndësisë së dorës të dytë. Kemi një ekip shumë të mirë në të gjitha listat për deputet. Kemi një grup ekspertësh të jashtëzakonshëm që kanë punuar për programin e Partisë Demokratike që janë nesër fytyra e re e qeverisë.”
Bushati: Tani që është Basha kryetar i PD humbet edhe në njësinë e vet
Ervin Bushati renditet i treti në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e Partisë Socialiste në Tiranë, për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një intervistë për “Opinion”, Bushati e quan privilegj, por edhe sfidë që të përfaqësojë qarkun më të madh të Shqipërisë.
“Si Kryetar i Partisë Socialiste Tiranë unë e quaj privilegj, nder dhe sfidë të përfaqësoj qarkun më të madh të Shqipërisë. PS ka qenë gjithmonë forcë e parë në Tiranë dhe ne kemi vendosur një standard me veten, kemi marrë 18 mandate në zgjedhjet e kaluara dhe nuk mund të biem poshtë këtij numri. Aq më tepër që kemi një përgjegjësi të trefishtë. Partia Socialiste është partia më e madhe në vend, është mazhorancë sot dhe PS patjetër që në këto kohë pandemie dhe pas tërmetit ka një sfidë të madhe me shoqërinë.”
Angazhimin në politikë Bushati e konsideron punën e ëndrrave të tij.
“Jam diplomuar në SHBA, pasi u ktheva në Shqipëri mendova të merrja pjesë në politikë dhe të jepja sadopak atë vizionin kontributin tim pranë PS. Kam 15 vite në Partinë Socialiste, ky është mandati i tretë si deputet dhe mendoj që kam një sfidë, përgjegjësi dhe privilegj. Është edhe puna e ëndrrave të mija. Jam me të vërtetë krenar për PS, vendin dhe gjithçka që po mundemi të bëjmë bashkë si shoqëri.“
Sa i përket kundërshtarit politik, Bushati nuk e kursen ironinë…
“Njësia nr.8 ka qenë një njësi ku Partia Demokratike zakonisht fitonte para se të ishte z.Basha kryetar. Tani që është Basha kryetar i PD humbet edhe në njësinë e vet. Në fakt nëse do të ishin disa gjëra që mendoj se i bën mirë është që kujdeset mirë për veten. Jemi pak a shumë e njëjta moshë dhe z.Basha nuk ka asnjë thinjë në flokë merret mirë me veten. Kjo më bën të mendoj se të gjithë duhet të kujdesemi pak më shumë me veten. Z.Basha zgjohet pak më vonë, është më i qetë, pret radhën. Këto janë virtytet e një njeriu në opozitë që mendoj se i shkojnë.“
Në fund Bushati flet edhe për familjen e tij.
“Edhe sot më 9 Mars hero i vërtetë është gruaja, ne kemi 3 çuna të cilët njëri pas tjetrit janë një sfidë më vete. Të rrisësh 3 djem është e vështirë. Hero i vërtetë në familjen time është ime shoqe, është ajo që më ndihmon shumë, pa të do të ishte e pamundur që unë të merresha me politikë. Këto kohë deri më 25 Prill patjetër jemi të angazhuar me fushatën dhe politikën, por në datën 26 do të merrem më shumë me familjen.” /tvklan.al