Për çfarë i vjen keq Eranda Libohovës?


Për çfarë i vjen keq Eranda Libohovës?

19:12 01/07/2021

Këngët e saj kanë lënë gjurmë te publiku, por Eranda Libohova mendon se ka një këngë që publiku e do fort dhe nuk ikën kurrë nga pëlqimet e tij. Bëhet fjalë për “Buzët më ishin tharë”, balada e saj e famshme, për të cilën ajo thekson se si në çdo këngë të sajën, është teksti ai që mbart peshën pasi mbetet në kujtesën e njerëzve.

Përpara performancës së saj të këngës “Bota iluzion”, Eranda Libohova tregoi një sekret të vogël që ajo bën në rastet kur këndon, por i ndodh të harrojë tekstin. Madje, kjo gjë i ndodhi edhe kur konkurroi me këtë këngë në Festivalin e 36-të të Këngës, ku në atë vit ajo fitoi çmimin “Interpretuesja më e mirë”.

Fitoren e çmimit Eranda e mori vesh nga televizori i shtëpisë sepse ndërkohë ishte larguar nga skena e festivalit, por arsyen pse e zbuloni më poshtë.

Rudina Magjistari: Kujton ndonjë moment nga i gjithë rrugëtimi yt muzikor në skenë, ndonjë situatë kur ke dalë jashtë kornizave sepse të është dashur ose diçka të paparashikuar?

Eranda Libohova: Harroj tekstet ndonjëherë.

Rudina Magjistari: E çfarë bën një këngëtar kur harron tekstin në skenë?

Eranda Libohova: Po çfarë bën, improvizon ose më ka ndodhur edhe në Festivalin e Këngës para 3 vjetësh, ngatërrova pak vargun edhe hiç asgjë, përtypesh nëpër dhëmbë edhe do dalësh nga situata, por ka gjëra që edhe kuptohen, ndihen pak, por do të shpikësh diçka ose do fillosh të bësh ndonjë rimë të momentit. Më ka ndodhur shpesh herë.

Rudina Magjistari: Kënga që ne do të dëgjojmë tani është kënga “Bota iluzion” , një këngë e sjellë në Festivalin e 36-të të Këngës. Çfarë kujtimesh të sjell kjo këngë?

Eranda Libohova: “Bota iluzion” është një baladë dashurie shumë e bukur. E vetmja gjë që më kujtohet është kostumi i zi që e kam qepur te mikeshat e mia të Liceut Artistik, zyshat e Liceut më saktë. Ne kishim një marrëdhënie shumë të fortë në ato vite me Marina Grabovarin që është bashkëshortja e të ndjerit Selim Ishmaku, i cili ka orkestruar këngën. Në ato vit ne frekuentoheshim shumë me njëra-tjetrën dhe më kujtohet që m’u përkushtuan shumë që unë të dilja sa më bukur dhe kam veshur një kostum të zi. Edhe aty kam ngatërruar fjalët, madje kam ikur nga skena, nuk kam marrë as çmimin. Kam marrë çmimin e “Interpretueses më të mirë”.

Rudina Magjistari: Si ndodhi, pse ike përpara se të ndaheshin çmimet?

Eranda Libohova: Po sepse unë ashtu iki gjithmonë, domethënë ashtu kam ikur gjithmonë se nuk iki më.

Rudina Magjistari: Eksperienca të ka treguar që duhet të rrish sepse zakonisht merr çmime.

Eranda Libohova: Po dhe nuk e di, mbarova performancën, u largova dhe dëgjoj në shtëpi, ulem përballë televizorit, akoma po anonçoheshin çmimet kur dëgjoj Adi Krastën “dhe çmimin ‘Interpretuesja më e mirë’ e merr Eranda Libohova” dhe unë ngela. Trofeun e mori dikush tjetër, më pas e mora, por më erdhi keq që nuk e mora në skenë. Gjithsesi, këtë mbaj mend nga “Bota iluzion”. /tvklan.al






Të ngjashme